Gjermania ka hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale dhe sondazhet flasin për një garë të ngushtë mes kristian-demokratëve dhe social-demokratëve.
Kandidati për kancelar i social-demokratëve, Olaf Scholz kryeson lehtë në këto sondazh. Si udhëheqës i së majtës ai premton më shumë politike sociale, duke filluar me strehimin dhe ndërhyrjen e shtetit në zbutjen e çmimeve të banesave.
Scholz ka prezantuar në takimet e fundit elektorale një projekt për ndërtimin e 400 mijë apartamenteve, ku 100 mijë prej tyre do të jenë banesa sociale.
Scholz, që sipas DW e ka kthyer strehimin në një temë të fushatës së tij premtoi se tek “aleanca për banimin”, do të bëjë pjesë edhe një moratorium, në të cilin do të vendoset që qiratë në pesë vitet e ardhshme të rriten në mënyrë të moderuar.
Pasaardhësi i Merkel në krye të CDU-së, Armin Laschet parashikon një rezultat të ngushtë në këto zgjedhje. Ai thotë se sondazhet tregojnë se shumë gjermanë janë ende të pavendosur dhe kërkoi nga partia që të aktivizohet në javën e fundit për t’i bindur pse duhet të votojnë konservatorët.
Sipas sondazheve, socialdemokratët janë në krye me 25 për qind, ndjekur nga CDU/CSU me thuajse 24 për qind dhe më pas të Gjelbërit, që kanë për kandidate për kancelare Annalena Baerbock.


