Edi Rama ka marrë votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës. Me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim është miratuar qeveria e re dhe programi i tij qeverisës.
Seanca plenare maratonë e nisur ditën e djeshme në orën 10:00 ka përfunduar mëngjesin e sotëm në orën 06.37. Pas prezantimit të programit qeverisës nga Kryeministri Rama, ministrat e tij i janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për projektet e bëra publike, ndërsa seanca vijoi me debatet mbi programin. Në fokus të programit ishte rritja e pagave, të pensioneve, investimet në infrastrukturë, por dhe fuqizimin e rolit të gruas, në seancën që u ndoq dhe nga bashkëshortja e kryeministrit Linda.
Kjo seancë maratonë është ndërprerë 2 herë pas kërkesës së opozitës, kjo sepse kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi që të fliste pa qenë kryeministri Edi Rama në Kuvend, që pas insistimit të tyre duke bllokuar edhe foltoren me deputetin Enkelejd Alibeaj, erdhi pas 2 orësh. Me ardhjen e kryeministrit në seancë opozita ka nisur debatete, me Lulzim Bashën hodhi sërish akuza të përsëritura ndaj qeverisë, duke e quajtur Ramën “ekzekutor të zgjedhjeve” dhe vrasës i demokracisë. Sa i përket programit qeverisës kryedemokrati deklaroi se nuk mund të quhet i tillë, pasi sipas tij i vetmi program që ka PS është vijimi i plaçkitjes. Mirëpo kjo akuzë mori një përgjigje nga kryeministri, i cili nuk nguroi që ta ngacmonte sa i përkret zhvillimeve që janë regjistruar së fundmi në PD-në. Kjo edhe për faktin se gjatë kohës që Lulzim Basha fliste në Kuvend, nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur ‘Non Grata’, po zhvillonte takimin e tij të parë më anëtarët e demokratëve në hotel ‘Rogner’ për të kundërshtuar përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe largimin e Bashës nga drejtimi i partisë.
“Sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës në këtë moment që ju e quajtët shumë të rëndësishëm me një fjalim që 3 çereku është copy paste nga fjalimet e fushatës pastaj disa pjesë nëpër të që janë përsëritje që mund të jetë shkak i stresit. Ke boll kumrie kështu që këtu ndalem””, i tha Rama më herët.
Tashmë me votëbesimin nga Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit, të cilin e shkarkuan vetëm pak muaj më parë. Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend. Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.
Emrat e ministrave të qeverise ‘Rama 3’
Kryeministër – Edi Rama
Zëvendëskryeministër (do mbikëqyrë edhe rindërtimin) – Arben Ahmetaj
Ministre për Europën dhe Punëte Jashtme – Olta Xhacka
Ministër i Mbrojtjes – Niko Peleshi
Ministër i Drejtësisë – Ulsi Manja
Ministër i Punëve tëBrendshme – Bledi Çuçi
Ministre e Financave dhe Ekonomisë – Delina Ibrahimi
Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë- Belinda Balluku
Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – Ogerta Manastirliu
Ministre e Arsimit dhe Sportit – Evis Kushi
Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural- Frida Krifca
Ministre e Kulturës Elva Margariti
Ministre e Mjedisit dhe Turizmit, – Mirela Kumbaro
4 ministra shteti
Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin
Edona Bilalli ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Bora Muzhaqi ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët
Milva Ekonomi, ministre Shteti për Standardet e Shërbimeve
Kryetare e Parlamentit
Lindita Nikolla


