Sali Berisha do të mbledh sot anëtarët e Partisë Demokratike në Tiranë, ku do të mbledhë firmat për të kërkuar referendum për vendimin individual të Lulzim Bashës, për përjashtimin e liderit historik nga partia. Ky takim do të mbahet në orën 18:00 ndërsa është lënë në një prej hoteleve më luksoze në kryeqytet, në Rogner.
Ashtu siç kishte paralajmëruar më parë, Berisha ka nisur të gjitha lëvizjet e tij për të bërë referendum në PD, në mënyrë që të rrëzojë vendimin e përjashtimit të tij nga Lulzim Basha. Ai ka nisur aksionin kundër ‘birit të tij politik’ Bashës, për t’i rikthyer sipas tij sovranitetin partisë.
Në mbështetje të Berishës janë pozicionuar edhe 30 anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilët i kanë depozituar një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Sali Berishes nga grupi parlamentar. Me anë të një peticioni, ato e konsiderojnë si të paprecedentë situatën e krijuar nga vendimi personal i kryetarit të PD-së për përjashtimin e Berishës. Sipas tyre anëtarësia duhet të vendosë pasi është shkelur statuti dhe vlerat e PD-së.
Përjashtim i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA, solli një numër të lartë reagimesh në radhët e partisë së djathtë në vend të cilët nuk u pajtuan me vendimin e Lulzim Bashës. Madje disa deputetë dolën hapur kundër vendimit të Bashës dhe mbështetën Sali Berishën, me argumentin se po mohohej historia e suksesit të kësaj partie.
Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në kufijtë e limitit kohor, një ditë përpara se të mbahej legjislatura X e Kuvendit. Basha dekalaroi se këtë vendim e mori në mënyrë personale, pasi sipas tij nuk donte të nxiste përçarje në parti.


