Bashkim Fino ka zyrtarizuar kandidaturën e tij në garën për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke u bërë njëkohësisht edhe kundërshtari i parë i kreut aktual Armando Duka në zgjedhjet e 7 shkurtit.
Fino ka zbuluar edhe anëtarin që e ka propozuar për këtë kandidaturë. “Propozimi i parë për mua u depozitua nga Lushnja, ndërsa propozimi i dytë do të vijë nesër nga Flamurtari.”
Nga 66 anëtarët e Asamblesë, 54 janë klube futbolli dhe 12 shoqata sportive si, për shembull, Shoqata e Trajnerëve, e Mjekëve Sportivë, Arbitrave të Futbollit, etj.
Bashkim Fino ka bërë dy premtime të mëdha në rast se do arrijë të fitojë në garën për kreun e FSHF-së
“Si fillim në rast se votëbesohem gjëja e parë që do të bëj është të propozoj kufizimin e mandateve. Është e pakuptimtë që dikush të qëndrojë në krye për 4 mandate, nëse dikush ka diçka për ta dhënë 8 vite janë të mjaftueshme. Unë do të propozoj që një president të mos qëndrojë më shumë se dy mandate.
Premtimi tjetër është që unë do të ndërtoj 5 stadiume të tjera në nivel me ‘Arenën Kombëtare’.”


