Një zjarr ka përfshire spitalin e Tetovës mbrëmjen e djeshme, ku flakët kanë përfshirë repartin e të sëmurëve me Covid-19. Si pasojë kanë ndërruar jetë 14 persona, por fatkeqësisht ku numër mund të rritet.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, por dyshimet janë për shpërthimin e bombolave të oksigjenit ose gazit.
Gazetarja Liridona Vejseli ishte sot në një lidhje “Skype” nga Tetova, me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. Ajo dha disa detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka tronditur gjithë vendin.
Vejseli u shpreh se në spital aktualisht janë 12 persona, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve. Sipas saj, ekspertiza në lidhje me zjarrin është drejt fundit.
“Janë identifikuat të gjitha viktimat. Numri i viktimave nuk është përfundimtar, 26 pacientë kanë qenë të shtruar. Këta persona kanë pasur familjar që kujdeseshin për ta. Thuhet se 6-7 persona që ishin duke mbikëqyrur të afërmit e tyre të sëmurë, mund të kenë nderuar jetën, por nuk është ende zyrtare”, tha Vejseli.
Gazetarja shtoi se mes viktimave është një 22-vjeçare, e cila kishte ndërruar jetë nga Covid dhe më pas është shkrumbuar nga zjarri.
“Një 22-vjeçare ka ndërruar jetë nga koronavirusi dhe më pas është shkrumbuar nga flakët. Mes viktimave është një 15-vjeçare që ishte e prekur nga Covid dhe një 29-vjeçare që ishte për tu kujdesur për nënën e sëmura nga koronavirusi”, tha Liridona.


