Mark Marku nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ri, duke hequr dorë nga mandati i deputetit që e fitoi në qarkun e Lezhës. I kontaktuar nga Report TV, Marku tha se këtë vendim e mori pasi nuk është dakord me vendimet e lidershipit të PD, Lulzim Basha. Marku ka shpërthur akuza të forta jo vetëm ndaj Lulzim Bashës por edhe ndaj Sali Berishës, për të cilët thotë se e kanë shndërruar Partinë Demokratike në një parti që vetëm mbron interesat personale të tyre, ndërsa në një editoriali për gazetën Panorama, ka listuar një sërë arsyesh se pse ndërmori këtë veprim që lidhet me etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme te PD-së në një rutinë humbëse dhe se Basha është thjesht “kryetar i partisë së Berishës”.
Mark Marku, i cili doli deputet në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 25 Prillit shkruan se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD dhe as nuk do të jetë deputet në Kuvendin e ri, pasi partia po u shërben servilëve dhe kjo u pa si pas zgjedhjeve të 25 prillit, si në zgjedhjet brenda PD për kryetarin e ri, por edhe në Kuvendin e PD, ku askush nuk ngriti zërin për të thënë të vërteta por heshtën pas servilizmit që i bënë Bashës. Për Markun, fushat për zgjedhjen e kryetarit të PD, ishte pa vizion dhe nuk solli asnjë platformë ndryshimi se si demokratët do të vijnë në pushtet. Ai pati kritika të forta edhe për Kuvendin e PD, ku tha se fjalimi i Bashës i la demokratët edhe më të paqartë në lidhje me vizionin e ri të partisë.
“Etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme te PD-së në një rutinë humbëse dhe se Basha është thjesht “kryetar i partisë së Berishës”, PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës dhe të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së duke tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica…Fushata për zgjedhjen e Kryetarit ishte pa vizion, pa alternative pa perspektivë dhe rrugëdalje nga kriza dhe pa platformë ndryshimi për të sjellë demokratët në pushtet. Basha fitoi thjeshtë për rutinë dhe PD është parti ku secili avancon politikisht prej servilizmit ndaj kryetarit. Edhe në Kuvendin e PD shumë pak ngritën zërin dhe kjo më trishtoi. Aty u votuan njëherë propozimet e Bashës dhe më pas propozimet e tjera. edhe për kandidatët për Këshillin Kombëtar askush nuk kuptoi se si u përzgjodhën ata dhe kush i votoi. Për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë në etapën e katër të një rutine të tillë humbëse. Madje, kam vendosur të mos e marr as mandatin e deputetit”, shkruan ndër të tjera Marku.


