Gjashtë policë burgjesh janë pezulluar nga detyra për tentativën e arratisjes në burgun “313”, që ndodhi ditën e diel.
Gëzim Ramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muca, Oldi Myzyri, Redion Maloku dhe Edmon Prenga dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në planin e arratisjes.
Dyshimet janë ngritur nga Prokuroria e Tiranës që prej ditës së ngjarjes, ndërsa hetimi vijon edhe për efektivë apo zyrtarë të burgut, nëse janë përfshirë në ndonjë formë në ngjarje.
Përveç Lulzim Çepeles, që bashkëpunoi me Arbër Çekajn dhe Fatmir Pjetrin, në tentativën e tyre për t’u arratisur nga burgu “313”, duke prerë damarët, duket se edhe 3 të paraburgosur të tjerë kanë qenë në dijeni të planit të tyre, por nuk kanë treguar asgjë.
Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se ka nisur procedim penal për “Moskallëzim krimi” ndaj Dritan Sinanit, Elvis Fajzullahut dhe Bekim Bulicës.
Po kështu, edhe 6 gardianë të burgut 313 janë marrë në hetim për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria thekson në dosje se efektivët e Policisë së Burgut nuk kanë ushtruar kontroll fizik ndaj të dënuarit Fatmir Pjetri, i cili kishte dhe një çantë të kuqe me vete në ajrim, brenda të cilës kishte futur çarçafët e gërshetuar në formë litari, rreth 20 metra të gjatë dhe çengelin e hekurit, me të cilin goditi në kokë efektivin që u përpoq t’i ndalonte.
Nga ana tjetër, gjatë deklarimeve që u janë marrë të paraburgosurve të tjerë, ata kanë deklaruar se një ditë para ngjarjes, dëgjuan zhurmën e një droni mbi burg.
Ky informacion është ende duke u verifikuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ende nuk ka një konkluzion, nëse këto deklarime qëndrojnë apo jo.
PJESE NGA DOSJA
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se me veprim dhe mosveprim nga ana e punonjësve të Policisë, Gëzim Rramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muça, Oldi Myzyri, Redion Maloku dhe Edmond Prenga janë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi ata nuk kanë ushtruar kontroll fizik dhe të mjeteve apo pajisjeve që i paraburgosuri Fatmir Pjetri kishte me vete, konkretisht çantën e kuqe ku ndodhej litari dhe sendi i fortë, hekuri, në itinerarin e ndjekur prej tij nga dhoma e tij deri në vendin që ka kërcyer nga tarraca e godinës, ajrosja.
Sa më sipër, referojmë materialet për veprën penale të ‘Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit’ dhe ‘Goditje për shkak të detyrës’ në ngarkim të të paraburgosurve Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe për veprën penale të ‘Dhënies ndihmë një të burgosuri për largim’, Lulzim Çepeles.
Për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ në ngarkim të punonjësve të Policisë Gëzim Rramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muça, Oldi Myzyri, Redion Maloku dhe Edmond Prenga”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.
Aty theksohet gjithashtu se ekzistojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale që ndaj personave nën hetim të caktohet masë sigurimi personal me karakter shtrëngues.
“Mbi të dhënat dhe deklarimet e sipërcituara, mbështetet ekzistenca e dyshimeve të arsyeshme se shtetasit Fatmir Pjetri, Arbër Çekaj dhe Lulzim Çepele janë autorë të veprave penale.
Ky dyshim i arsyeshëm bazohet në aktet dhe provat e administruara në kuadër të procedimit penal.
Për shkak të natyrës së veprës penale dhe të marzhave të dënimit për këtë vepër penale, çmojmë se ekziston dyshimi se të arrestuarit, Fatmir Pjetri, Arbër Çekaj dhe Lulzim Çepele, të ikin me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale dhe dyshimi që ata të vazhdojnë të kryejnë vepra të tjera penale më të rënda”, shprehet Prokuroria.


