“Dua të më kthehet, si çdo prind që e do fëmijën pranë”!
Që prej 30 qershorit të vitit 2017 Tahsim Ibrahimi ka humbur kontaktet me vajzën e tij. Fatlumja humbi kuptimin e emrit me largimin drejt Sirisë në moshën 18 vjeçare.
Këto janë fotot e fundit të Fatlumes që i ati i mban gjithmonë me vete dhe i ruan që prej 15 majit të 2014 kur vajza e vetme ju largua nga Belgjika ku jetonin drejt Sirisë me të fejuarin.
Prej më shumë se katër vitesh, Tahsimi nuk i ka dëgjuar më zërin vajzës, nuk di ku është dhe se si është ajo, por nga komunikimi i fundit mban mend se ishte zhvendosur drejt Irakut.
Pas përpjekjeve të shumta nga ana e tij, trokitjeve në dyert e qeverisë maqedonase dhe të Belgjikës që e kanë zvarritur çështjen prej kohësh, të vetmen shpresë e ka te qeveria shqiptare teksa i drejtohet nëpërmjet Top Channel me një lutje.



