Janë riaktivizuar vatrat e shuara të zjarrit në Lunxhëri të Gjirokastrës. Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar u bë e mundur shuarja e flakëve, por këtë pasdite situata është përkeqësuar sërish.
Një natë më parë, zjarret në këtë zonë shkrumbuan mbi 40 ha kullotë dhe shumë dru frutorë, kryesisht vreshtari. Ndërkohë, gazetarja Brikena Metaj sjell pamje në redaksinë e “BalkanWeb”, ku shihet se qyteti i gurtë është “pushtuar” sërish nga tymi e flakët, të cilat po avancojnë në pjesën e sipërme të fshatit Krinë dhe Kakoz, për shkak të temperaturave të larta.
Deri më tani nga zjarri janë djegur pishat e fshatit Krinë dhe rrezikohen banesat e këtij fshati. Ndërkohë, flakët po avancojnë edhe në drejtim të fshatit “Asim Zeneli”. Mësohet se tymi ka përfshirë gjithçka, ndërsa banorët kanë dalë në ndihmë të zjarrfikësve.


