“Panorama.al” zbardh detaje nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës, mbi grupin e strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin kompjuterik, ku katër persona ranë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Phishing”.
Ky operacion policor duket se mori këtë emër për shkak të tipologjisë së pagesave ndërkombëtare që kryeheshin në llogaritë që këta shtetas kishin krijuar në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
“Nga të dhënat që janë analizuar dyshohet se keto llogari po përdoren për të përfituar pagesa ndërkombëtare nëpërmjet tipologjise “Phishing”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Gjatë operacionit, në pranga përfunduan shtetasit: Donald Anu, 34 vjeç, alias Ugochukëu Emmanuel Emereibenu, nga Kameruni, por edhe me nënshtetësi nigeriane, i cili mësohet se ka ardhur në vendin tonë në vitin 2018. Ai është ‘truri’ i grupit të strukturuar. Në pranga përfundoi edhe Marie Goufan, 31 vjeçe, nga Kameruni, si dhe shqiptarët Fatbardh Danja, 40 vjeç dhe Xhentil Kupe, 54 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në dosjen hetimore që Panorama po zbardh, zbulohet mënyra se si shtetasi nigerian Emmanuel Emereibenu, në bashkëpunim me shtetasin shqiptar Fatbardh Danja, përfitonin shuma parash në llogari bankare të cilat dyshohet të ishin siguriar përmes mashtrimit kompjuterik.


