Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bulevardin ‘Blu’ në Tiranë. Një 30-vjeçar, drejtues motori ka humbur jetën pasi u përplas me një makinë.
Sipas policisë, drejtuesi i makinës shtetasi me iniciale R.M, rreth 25-vjeç, është përplasur me mjetin motorr me drejtues shtetasin F. H., rreth 30 vjeç. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend 30-vjeçari me iniciale F.H. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Vendi po përballet me një bilanc tragjik për viktimat që po shkaktohen nga aksidentet. Vetëm në 6 muajit e parë të këtij viti kanë humbur jetën 105 qytetar nga 671 aksidente rrugore që kanë ndodhur, nga 74 viktima që ishin në vitin 2020.
Numri i viktimave është rritur edhe krahasuar me vitin 2019, pasi në gjashtëmujorin e parë të atij viti janë regjistruar 102 humbje jete nga 714 aksidente të regjistruara.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku në Shqipëri po zbatoheshin kufizime në qarkullim për shkak të pandemisë, numri i aksidenteve është rritur me 32.9%, pasi për periudhën janar-qershor 2020 janë regjistruar 505 aksidente.
Për këtë periudhë të parë të vitit numri i të aksidentuarve (viktima dhe të plagosur) është 875 persona nga 656 persona në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave jo vetëm drejtuesit e mjeteve por edhe vetë kalimtarët po bëhen shkak i këtij bilanci të rëndë viktimash.
Nga janari në qershor janë bërë 553 aksidente me fajtor shoferët me një rritje prej 30.4% krahasuar me vitin e kaluar, dhe 118 aksidente janë shkaktuar nga vetë kalimtarët me një rritje 45.7% në raport me 2020. Për pasojë në këtë periudhë të parë të vitit drejtuesit e mjeteve kanë shkaktuar 91 viktima dhe vetë këmbësorët 14 humbje jete.
Ndërkohë 454 aksidente janë shkaktuar nga grupmosha 0-44 vjeç, ku rekord pakujdesie është shënuar nga kategoria 25-34 vjeç. Por shqetësues është fakti se për këtë gjashtëmujor është rritur me 116,2% numri i aksidenteve të shkaktuara nga të rinjtë deri në 24 vjeç.