Një operacion i gjerë në tri qytete kolumbiane, i kryer nga Policia vendase dhe agjencia amerikane DEA, goditi një rrjet kriminal kushtuar trafikut të drogës. Midis pesë burrave të arrestuar për qëllim ekstradimi është edhe një shtetas shqiptar. Në pranga ka përfunduar Agim Çerma, i njohur si “Jimmy”.
Mediat vendase shkruajnë se roli i tij dhe i personave të tjerë të arrestuar ishte të koordinonin trafikimin e kokainës drejt Europës. Ata e transportonin lëndën narkotike që e blinin në qytetin kolumbian Cauca, me fluturime çarter nga Aeroporti Ndërkombëtar i Alfonso Bonilla Aragón de Palmira.
Gjithashtu, ai trafikonte kokainë në SHBA nëpërmjet porteve të ishujve Karaibe. Aktiviteti kriminal i kësaj organizate ishte shtrirë deri në pikën që ata të kishin marrëdhënie të ngushta me “Clan del Golfo” dhe disidentët e Farc, me të cilët ata morën drogë në dy zona të vendit.
Po kështu, këta pesë persona kishin kontakte me kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin e mbikëqyrjes aeronautike për të mundësuar kryerjen fluturimeve.
“Pesë anëtarët e dyshuar të strukturës u kapën për qëllime ekstradimi, në përgjigje të një kërkese nga një Gjykatë e rrethit e Shteteve të Bashkuara. I huaji, i identifikuar si Agim Çerma dhe i njohur si Jimmy, ishte njeriu kryesor i veprimtarisë kriminale. Me sa duket, ai mori transferta parash nga Europa për të blerë kokainë në zonat e prodhimit të paligjshëm në Cauca dhe për të garantuar dërgimin e drogës në fluturimet çarter që u larguan nga Aeroporti Ndërkombëtar Alfonso Bonilla Aragón de Palmira (Valle del Cauca)”, thotë Prokuroria kolumbiane.
“Ka indikacione se paratë hynë në Kolumbi përmes ndërmjetësve financiarë. Sipas hetimit, shtetasi shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij kishin aleancë me ‘Clan del Golfo’ në rajonin e Urabá dhe me grupe disidente të FARC në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë dhe lëvizur lëndën narkotike”, thekson organi i akuzës. Më tej thuhet se “ata kishin vendosur kontakte me kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin e mbikëqyrjes aeronautike për t’i lejuar ata të transportonin ngarkesën”.
ARRESTIMET E ANËTARËVE TË TJERË
Përveç shqiptarit Agim Çerma, në pranga përfunduan edhe: William Cruz Pérez, i cili konsiderohet si njeriu i besueshëm i shqiptarit dhe personi i ngarkuar me detyrën e koordinimit të blerjes, magazinimit të kokainës dhe krijimin e vendeve për dorëzimin e parave;
Pedro Antonio Penagos Londoño, përgjegjës për mbledhjen e drogës në ndërtesat pranë Aeroportit Alfonso Bonilla Aragón;
Jairo Fernando Cardona López, i akuzuar për kontakte me kontrollorët ajrorë dhe personelin e sigurisë nga terminali ajror, për të lejuar hyrjen dhe daljen e ngarkesave.
Edwin Durlandy Montilla González, alias Kimist, i cili dyshohet se shoqëronte përpunimin e klorhidratit të kokainës në laboratorët në Kaucën Veriore. Gjatë procesit të arrestimit të tyre, u kapën më shumë se 333 kilogramë kokainë dhe më shumë se 2,000 milionë pesos.


