Një 31-vjçare ka rënë në prangat e Policisë ditën e sotme në Tiranë, pasi ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, për vjedhje me dhunë.
Në pranga ka rënë Ina Sulejmani, e cila rezulton një emër i njohur për policinë. Në vitin 2013, Sulejmani u arrestua si pjesë e një grupi kriminal prej 7 personash, autorë të 30 vjedhjeve në Tiranë.
Ata merrnin automjete me qira pranë zonës së stadiumit Dinamo Tiranë, dhe më pas realizonin vjedhje me dhunë të kalimtarëve të sendeve personale e bizhuterive, kryesisht në orët e darkës.
Po ashtu ata vidhnin edhe makina, kryesisht të tipeve Mercedez Benx, të cilat më pas i dërgonin në një servis në Vorë, me qëllim çmontimin e tyre dhe shitjen më pas për pjesë këmbimi në Fushë Krujë, Laç, Mamurras etj.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetases Ina Sulejmani., 31 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, ku ka për të vuajtur edhe 3 vite e 27 ditë burg, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim”, njofton Policia mbi arrestimin e Sulejmanit ditën e sotme.


