Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi sot se “BE-ja nuk do ta ndalë mbështetjen për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë”. Në fjalën e tij në takimin online me përfaqësues të institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe partnerë ndërkombëtarë të Komitetit Drejtues të palëve të interesit të projektit të financuar nga BE-ja, Soreca tha se “EURALIUS V ka mbështetur të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e para të prekshme duke çuar zyrtarë dhe magjistratë të korruptuar para drejtësisë. Askush nuk është mbi ligjin”. “EURALIUS së bashku me PAMECA-n kanë qenë një nga projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit në Shqipëri. Për BE-në, ka qenë projekti më i madh për sa i përket buxhetit dhe fushëveprimit në fushën e drejtësisë. Projekti ka bashkuar ekspertizën më të mirë të BE-së dhe ekspertizën më të lartë vendore dhe ndërsa flasim, modeli Euralius po përsëritet në Bosnjë & Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë”, theksoi Soreca.
Ambasadori Soreca u shpreh se “Euralius po hyn në muajt e fundit të zbatimit të tij (duke përfunduar në dhjetor 2021), por mbetet një mbështetës kryesor në një numër përparësish kryesore të Reformës në Drejtësi”. “Puna për efikasitetin e gjyqësorit, duke mbështetur drejtpërdrejt Gjykatën e Lartë dhe gjykatat e tjera, është për mendimin tim përparësia e përparësive. Përqendrimi në përmbushjen e pritjes kryesore të qytetarëve: dhënia në mënyrë efikase e drejtësisë”, tha Soreca.


