nalisti Shkëlzen Maliqi ka analizuar përçarjen nëpër të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, boshti i konfliktit është në relacionin Albin Kurti – Shpend Ahmeti, që ka filluar në vitin 2013, kur Ahmeti e ka fituar Prishtinën. Maliqi konsideron se ndarja në këtë parti tani është e pashmangshme, ndërkohë që pret që krahu i Molliqajt të përbëjë një forcë mjaft sfiduese ndaj VV-së dhe skenës aktuale politike. Por, sipas tij, ndarja nuk po formalizohet ende për shkak të frikës së Albin Kurtit
Deputetët që tani haptas po e kundërshtojnë Albinin thonë se VV-ja do të merrte pushtetin po të kandidohej Shpendi për kryeministër. A mendon se kandidatura për kryeministër është arsyeja e vërtetë e përçarjes dhe dorëheqjeve në VV?
Sipas disa pohimeve, mospajtimet në VV kanë filluar më herët, para zgjedhjeve dhe kandidimit të Albin Kurtit për kryeministër. Këta që po dorëhiqen tani kanë menduar se kandidati më i përshtatshëm do të ishte Shpend Ahmeti dhe ndoshta edhe kanë të drejtë se me Shpendin VV-ja do të fitonte edhe më bindshëm zgjedhjet e përgjithshme, duke hapur edhe rrugën për të ardhur në pushtet. Rivaliteti Kurti – Ahmeti ka qenë i dukshëm që nga viti 2013 kur ky i dyti ia siguroi fitoren VV-së në Prishtinë, duke demonstruar modelin e ndryshimit dhe rritjes së këtij subjekti politik, se VV-ja mund të bëhet më e pranueshme për shtresat më të gjëra të elektoratit, nëse heq dorë ose të paktën bëhet më e moderuar në ndjekjen e aktivizmit agresiv të Albin Kurtit që manifestohej si “politikë e rrugës’, me demonstrata të vazhdueshme, refuzimin e modelit të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës hap pas hapi, si dhe sulmet ndaj institucioneve dhe retorikën antiperëndimore dhe antiamerikane që ngjallte frikën nga humbja e përkrahjes së shteteve që e kanë çliruar dhe ndihmuar pavarësimin e Kosovës. Nëse do ta thjeshtëzonim skemën e konfrontimeve mes dy rrymave kryesore në VV, mospajtimi ka qenë mes atyre që besonin se VV-ja duhet të mbetet lëvizje ‘revolucionare’ që duhet të vazhdojë me protesta dhe sulmet ndaj institucioneve, nga njëra anë, dhe atyre që preferonin ndjekjen e metodave parlamentare të veprimit, duke reduktuar sa më shumë ose edhe krejt “politikën e rrugës”, nga ana tjetër.
Kulmi i mospajtimit dhe i ndarjeve besoj se ka ndodhur në fazën e pengimit të punës së Kuvendit të Kosovës me hedhjen e gazit lotsjellës, sulmin me koktej molotovi të policisë së Kosovës dhe, si kulminimin, sulmin me granatë të godinës së Kuvendit, me çka veprimtaria aktiviste u ngrit në nivelin e rrezikut që VV-ja do ta shndërronte në organizatë terroriste. Rreth këtij sulmi me granatë, për çka janë dënuar me burg disa aktivistë të VV-së, ekziston një fenomen i heshtjes të tipit të Omertës, edhe ndër ata që e dinë të vërtetën dhe kanë qenë kundër këtij eskalimi, por nuk e tregojnë të vërtetën sepse kjo do të dëmtonte rëndë organizatën.
Për këtë konstatim nuk mbështetem te vendimi i gjykatës që aktivistët i gjeti fajtorë, por edhe nga ndryshimi radikal që ka ndodhur në sjelljet e VV-së pas atij rasti, pasi që prej asaj kohe VV gati krejtësisht pezulloi aktivitetet jashtëparlamentare dhe e shkarkoi sekretarin gjeneral të partisë Dardan Molliqaj, i cili ka qenë shef dhe organizator i të gjitha protestave dhe aksioneve. Tani së voni, në intervistën në Klan Kosova, Molliqaj disa herë përsëriste se për të gjitha aksionet, pra edhe kjo që besoj se ka qenë shkaktare e përçarjes, vendimet ekzekutive janë marrë bashkërisht nga Kurti, Ymeri dhe ai, pra se ai asgjë nuk ka punuar krye në vete.
Cila mendoni se do të jetë e ardhmja e VV-së tani kur përçarja është e dukshme dhe ka marrë këtë përmasë?
Mendoj se VV-ja asnjëherë nuk ka arritur të bëhet organizatë unike por është rritur si një formacion politik amalgamë, ky dyfishim i votës së saj në zgjedhjet e qershorit nuk është votë stabile, por e kushtëzuar: bërthama e VV ka votuar për Albinin dhe konceptin e tij ‘revolucionar’, kurse pjesa tjetër e ka votuar Shpendin e shpresën se edhe Albini mund të ndryshojë. Në nivelin e protagonistëve kryesorë dhe deputetëve tashmë të zgjedhur nuk shoh se mund të arrihet kompromisi ose vazhdimi i bashkëjetesës me platforma politike të papajtueshme. Ajo që për momentin e pengon ndarjen e shpejtë në dy subjekte është frika se VV do të mund të përjetonte fiasko të madhe sidomos duke dështuar me pushtetin në tri komunat që i ka fituar në zgjedhjet, si dhe në disa tjera ku i ka ndihmuar partitë tjera dhe i takon hisja e pushtetit.
Të gjithë po flasin për Shpendin, por jo Shpendi vetë. Çfarë qëndrimi do të mbajë Shpendi, sipas jush?
Shpendi hesht për shkak se nuk e ka të qartë qëndrimin e këshilltarëve në Kuvendin e Prishtinës. Është e qartë se ai komunën e ka fituar pa përkrahjen e Albinit, dhe vendimet e para që i ka marrë të japin idenë se po i largon njerëzit e Albinit nga pozitat drejtuese në komunë, por nuk deklarohet publikisht me cilën anë është deri sa nuk sqarohen gjërat sepse nuk dëshiron që sërish të ketë situatën e ngjashme me atë të mandatit të parë, kur nuk e kishte shumicën në Kuvendin komunal.
Pse mendon që Albini po shfaqet tani zemërgjerë duke thënë se nuk i pranojnë dorëheqjet që po ndodhin aty…?
Besoj se Albini me çdo dorëheqje të re po e kupton se VV do të mund të dëmtohej shumë seriozisht si lëvizje dhe parti. Fillimisht ndoshta ka shpresuar se me këto ikje do të spastronte organizatën nga kundërshtaret dhe sfiduesit për postin udhëheqës, por tashti mbase e ka pa se sukseset e arritura mund të bëhen fitore të Pirros. Nëse dy prej tri komunave (Prishtina dhe Kamenica) do të kontrollonte krahu tjetër i partisë së re që do të shkëputej, ai do të dilte humbësi më i madh.
Edhe nëse këto dorëheqje s’pranohen, a do të shpëtohej në këtë mënyrë ndarja e VV-së?
Nuk di. Albin Kurti, që së shpejti do ta rimarrë drejtimin e VV, duhet të reflektojë dhe ofrojë zgjidhje të pranueshme për këta që po largohen. Për këtë duhet bërë kompromise të mëdha. Albini deri më sot nuk është shquar si njëri i kompromiseve. Por ndoshta do ta detyrojë ambicia e tij për pushtet që të gjejë gjuhën e pajtimit ku do të duhej të përfshihej edhe vetëkritika.
A do të mund t’i mbijetojnë politikisht kundërshtarët e Albinit në VV?
Nëse u ofrohet satisfakcioni për qëndrimet kritike të tyre, është e mundshme. Vetëm se nuk është shumë e besueshme se do të ndodh kjo. Besoj se ata tashmë janë duke e konsideruar idenë e mbijetesës dhe suksesit jashtë VV-së.
Çka mbetet në Vetëvendosje pas këtyre dorëheqjeve?
Mbetet VV e vjetër radikale plus oportunistët që nga largimi I këtyre figurave të shquara llogarisin se mund të dalin përfitues e me poste.
Emrat e të tërhequrve tanimë dihen: Aida Dërguti, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Visar Ymeri, Shqipe Pantina… etj., nëse jo në VV, ku mund të jetë e ardhmja e tyre?
Nëse me këta bëhet edhe Shpend Ahmeti, Qëndron Kastrati dhe disa të tjerë, ky grup do të jetë një formacion mjaft sfidues jo vetëm për VV-në por edhe si forcë e konsiderueshme parlamentare dhe ofertë e rinovuar politikë në kushtet kur të gjitha subjektet tjera janë mjaft të shpenzuara dhe në krizë. Kujtojeni vetëm si u përgjysmua LDK-ja pas Kuvendit ku luftuan me karrige për karrige e kolltuqe. Vetëm se ky grup duhet të mos bëj gabimet e atyre që u ndanë nga LDK-ja dhe u katandisen keq.
“Gazetaexpress”