Janë mbyllur të gjitha thertoret me aktivitet të paligjshëm në të gjithë vendin. Ky është bilanci i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) vetëm në dy javë të aksionit të ndërmarrë për sigurinë ushqimore në tregjet e thertoreve të kafshëve blegtorale.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Agim Ismailaj, tha për ATSH-në, se therjes së kafshëve në rrugë i erdhi fundi.
“Të 84 njësitë e therjes (të “miratuara” apo ilegale), që ekzistonin dhe funksionin jashtë të gjitha standardeve, janë mbyllur të gjitha, sikurse edhe 103 njësitë e tregtimit të mishit. Nga ky aksion, janë sekuestruar mbi 3 ton mish (2.4 ton nga të cilat vetëm në Tiranë) dhe mjete pune e pajisje të thertoreve”. Në çdo rast, kur inspektorët janë penguar në detyrë është kërkuar ndihma e forcave të policisë, e cila në çdo rast ka ardhur menjëherë”, deklaroi ai.