Forcat Speciale RENEA dhe FNSH ndodhen prej dy ditësh në zonën e Vlorës dhe po ushtrojnë kontrolle të shumta me qëllim kapjen e autorëve të ngjarjeve të fundit kriminale që kanë përfshirë qytetin bregdetar.
Newsbomb.al mëson se në orët e fundit, forca të shumta policie kanë “zbbarkuar” në zonën e Selenicës dhe po kontrollojnë dhjetëra shtëpi dhe ambiente të tjera, pasi aty dyshohet se fshihen autorët e vrasjes së Shkëlzen Velajt. Ngjarja ndodhi tre ditë më parë.
I riu u qëllua për vdekje me më shumë se 30 plumba, pjesa më e madhe e të cilëve e kapën në bark. Autorët e ndoqën me makinë dhe e vranë në derën e shtëpisë, në katin e pestë të një pallati në lagjen “24 Maj”.
Mbi 20 shtëpi janë kontrolluar nga Forcat Speciale në Selenicë, por deri tani nuk ka informacion për persona të ndaluar. Mjeti që autorët përdorën për vrasjen, një “BMW” u gjetë e djegur në Risili, rrugë që të çon drejt Selenicës.
Viktima, 35 vjeçari Shkëlzen Velaj ishte vëllai i Ardi Velajt, shkruan newsbomb.al. Ky i fundit është vrarë më 7 prill të 2015-ës, në lagjen “Çole” të qytetit të Vlorës në atë që sot quhet masakra e Çoles. Të vdekur gjithashtu mbetën dhe Hasan Rakipi Albi Limaj.
Dy pistat kryesore ku po heton Policia e Vlorës pas vrasjes, janë hakmarrja dhe përfshirja e mundshme e 35 vjeçarit në trafikun e drogës.


