Vetëm 33 vendime të marra nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe fatura që ka rënduar mbi buxhetin e shtetit shqiptar, ka qenë rreth 33 milionë euro.
“Karagjozi”, “Puto” “Vrioni” “Çoko” si edhe “Dhimertika”, janë disa prej çështjeve më me peshë, për të cilat Strasburgu është shprehur në favor të tyre. Jo më kot të cilësuara me peshë, pasi vlera e kompensimit për secilin prej këtyre familjeve shkon deri në miliona euro.
Në studimin e paraqitur nga Petër Saraçi, anëtar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, janë renditur të gjitha vendimet e dhëna ndër vite si edhe masa e kompensimit për secilin prej tyre.
“Ky punim shqyrton të gjitha vendimet e humbura nga shteti shqiptar. Duke aplikuar metodologjinë dhe çmimet e përfituara nga praktika ndërkombëtare, arrin për herë të parë të përcaktojë detyrimin real kundrejt shpronësimeve të paligjshme të bëra nga shteti shqiptar”, nënvijëzon Saraçi.
Për të gjitha vendimet e dhëna nga Strasburgu, në llogaritjen e masës së kompensimit janë marrë si referuese çmimet për metër katror të miratuara në 2008- n.
Sipas shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Strasburgu nuk e ka njohur formulën e propozuar në ligjin e ri të pronave, i cili ka nisur zbatimin, pavarësisht zërave kundër.
Këtë muaj pritet që kjo Gjykatë të dalë me një qëndrim zyrtar mbi këtë ligj.
SITUATA
Aktualisht janë 396 raste të paraqitura për gjykim në Strasburg.
Më herët, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka dhënë alarmin se mbi 1 miliard dollarë do të ishte fatura, që do të rëndonte mbi buxhetin e shtetit në tre vitet e ardhshme nëse Strasburgu nuk njeh ligjin:
“Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.
Ahmetaj e cilësoi çështjen e pronave si një nga risqet më të mëdha për ekonominë dhe buxhetin, një gropë financiare që do t’i rëndonte çdo taksapaguesi shqiptar.
Sakaq, alarmi është dhënë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtare, i cili ka kërkuar nga qeveria shqiptare që ta adresojë drejt zgjidhjes çështjen e pronave.
SKEMA
Për të përmbyllur një proces të tejzgjatur, në kushtet që edhe presioni i Gjykatës së Strasburgut është në rritje, qeveria nuk u mjaftua vetëm me përmbysjen e skemës dhe rivlerësimin e trojeve bazuar në zërin kadastral të origjinës, as me kufizimin që i bëri kthimit të pronës, duke qenë se me ligjin e ri ka vetëm kompensim fizik dhe jo kthim 100% të sipërfaqes së njohur.
E zënë ngushtë, por me synimin për t’i shkuar deri në fund kësaj rruge, qeveria ka ngushtuar sërish lakun për pronarët duke reduktuar në masën 20 për qind kompensimin financiar.
Pra, përparësi do të ketë skema e kompensimit fizik.
Sa i takon kompensimit në të holla, ai do të realizohet në masën 20% dhe jo më shumë se 10 milionë lekë të reja.
Ky kufizim është mekanizmi që qeveria zgjodhi duke dëshmuar edhe një herë tjetër pamundësinë dhe dobësinë e financave të shtetit shqiptar.


