Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit, pas disa videove të postuara në rrjetin social “TikTok” të Enkeleda Kapedanit.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.
Ndërkohë, Kapedani duke folur për disa media, u shpreh se nuk ka asnjë përgjigje lidhur me nisjen e hetimeve nga ILD, ndërsa theksoi se nuk e di se kush i ka shpërndarë videot. “Unë nuk kam TikTok”, tha Enkeleda Kapedani.
“Nuk kam Tik Tok, nuk kam perdorur kurre rrjete sociale.
Dikush ka perdorur emrin dhe fotot e mia.
Eshte skenar per te prishur imazhin tim.
I bej thirrje organeve te hedhin drite per personat qe kane keqperdorur imazhin tim”, vijoi ajo.
“Në momentin e duhur do vlerësoj rastin dhe do ndjek rrugën ligjore. Nuk publikoj asnjëherë në rrjetet sociale foto apo video në momentet e punës, por vetëm familjen dhe fëmijët. Publikoj rrallë foto me familjen dhe fëmijët”, vijoi Kapedani.
Në media janë shpërndarë disa video, ku Enkeleda Kapedani shfaqej duke “sfiluar” në zyrë, ndërsa në disa të tjera duket teksa drejton makinën dhe ekspozon veshjet e saj.


