Gjykata e Apelit Tiranë ka kërkuar rikthimin në burg të Genci Tafilit. Ky vendim është marrë nga Gjykata e Apelit, katër vite pasi Tafili fitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Krujës. Vulën e lirimit të tij e vendosi gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila ndodhet edhe vetë pas hekurave.
KUSH ËSHTË GENCI TAFILI:
Lirimi me kusht i Genci Tafilit është dhënë pasi kreu 17 vite burg. Ai është vëllai i Admir Tafilit, i njohur në botën kriminale për shumë ngjarje të rënda. Genc Tafili me vëllanë, Admir Tafilin, u dënuan për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari.
Genc Tafili kreu 17 vite burg, nga 25. Ngjarja, për të cilën ai u akuzua dhe dënua, ndodhi në vitin 2000, ku vrau me armë komisarin Zylyftari. Por si u vra Zylyftari? Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2000, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit e akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.


