Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Breaking “ në Top News, për të folur në lidhje me marrëveshjen e ekstradimit me SHBA-në.
Marrëveshja e ekstradimit u ratifikua nga Kuvendi në seancën e fundit parlamentare, e Gjonaj u shpreh se “kjo marrëveshje pati si qëllim jo vetëm që të zëvendësonte një traktat të vjetër, por edhe për të lehtësuar ekstradimin midis vendeve tona”.
Sipas ministres së Drejtësisë, kjo marrëveshje garanton eliminimin e të gjitha pengesave ligjore dhe vjen në kohën e duhur.
“Marrëveshja e re zëvendëson si dokument traktatin e vjetër, atë të vitit 1993. Marrëveshja e re nuk kufizohet te kategorizimi i veprave penale. Në rastet kur parashikohet një dënim më një vit burg ose më shumë, atëherë kryet ekstradimi nga njëri vend në tjetrin”, tha Gjonaj.
Ndërsa e pyetur nëse SHBA ka dënuar një person me dënim me vdekje, a do të ekstradohet, ministrja e Drejtësisë sqaroi se “jo”.
“Është parashikuar kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dënim me vdekje, subjekti nuk është i ekstradueshëm. Autoriteti qendror që pranon ekstradimin duhet të garantohet se nuk do të jetë subjekt i dënimit me vdekjen. Në çdo rast garancitë për rastet kur parashikohet dënimi me vdekje dhe kërkohet ekstradimi, nuk do të pranohet kërkesa, ose do të pranohet në ato raste kur shteti nuk dënon shtetasin shqiptar me vdekje”, tha Gjonaj.


