Një djalë i ri vetëm 19-vjeç ra në prangat e policisë pas denoncimit të bërë ndaj tij për vepra të turpshme me një të mitur.
Sipas njoftimit të policisë, i riu u ndalua nga efektivët e Policisë në Komisariatin numër 1.
“E. Xh., 19 vjeç, dyshohet se ka kryer vepra të turpshme me një shtetase 13-vjeçare”, tha policia.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë ndalimin e shtetasit E. Xh., 19 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer vepra të turpshme me një shtetase 13-vjeçare”.
Ky rast vjen pak ditë pas ngjarjes shokuese që u zbulua në Mirditë, ku një 15-vjeçare ishte përdhunuar prej kohësh nga 5 persona të cilët edhe e shantazhonin me video intime.
Kjo ngjarje ka ngritur në protestë aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë e familjarë të vajzës.
Pjesë e protestës ishte dhe ipeshkvi i Rrëshenit Gjergj Meta, i cili kërkoi më tepër vëmendje për parandalimin e ngjarjeve të tilla.
Në lidhje me abuzimin seksual ka reaguar edhe delegacioni i BE-së në Shqipëri. Me një postim në “Facebook”, BE i bën thirrje institucioneve për mbrojtjen e vajzave në Shqipëri’.
“Delegacioni i BE-së dënon me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri. Nuk ka asnjë justifikim për përdhunimin ose ndonjë formë të abuzimit seksual. JO do të thotë JO. Mbroni vajzat në Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret”, shkruhet në postim.


