Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua me Ambasadoren e Polonisë, Monika Zuchniak-Pazdan. Kryetari i Kuvendit i uroi Ambasadores Zuchniak-Pazdan suksese në detyrën e saj të re në Shqipëri dhe vuri në dukje marrëdhëniet dhe bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve. “Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të mira dhe nuk ka asnjë çështje që na ndan. Shqipëria i është mirënjohëse e Polonisë dhe vendeve të Grupit të Vishegradit për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit evropian, në veçanti për hapjen e negociatave, dhe shpreson që kjo mbështetje do të vijojë edhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, gjatë presidencës portugeze.”, theksoi Ruçi.
Ruçi shprehu gjithashtu mirënjohjen për për solidaritetin dhe kontributin e Polonisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmetisi edhe për përballimion e pandemisë COVID-19 Vlerësohet me rëndësi intensifikimi i bashkëpunimit ndër-parlamentar.
“Polonia është shumë e qartë se vendi i Shqipërisë është në BE dhe do të bëjë ç’është e mundur që Tryeza e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt.”, nënvizoi Ambasadorja Zuchniak-Pazdan. Ajo u zotua të nxisë bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve, duke garantuar sipërmarrësit polakë se Shqipëria është një treg i sigurt dhe fitimprurës për investimet polake. Ajo u fokusua në bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke theksuar se turistët polakë janë grupi më i madh i turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe Ambasadorja, Monika Zuchniak-Pazdan, biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar. Ruçi përsëriti ftesën që Kryetarja e Parlamentit/Sejmit të Polonisë, Elżbieta Barbara Witek, të vizitojë Shqipërinë, vizitë e cila u ra dakord të realizohet së shpejti.


