Ambasada shqiptare në Izrael është rrezikuar nga një sulm me raketa nga Hamasi mesditën e sotme. Kjo bëhet e ditur nëpërmjet një postimi në Twitter të ambasadës, ku thuhet se raketat e Hamasit sulmuan shumë pranë ndërtesës së Ambasadës Shqiptare, që fatmirësisht nuk është prekur.
Në postim, Ambasada shprehet e shqetësuar për sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, ku thekson se civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen dhe se kjo situatë konfliktuale mes dy vendeve, duhet të de-përshkallëzohet.
“Sulm me raketa në Ramat Gan, pranë Ambasadës Shqiptare gjithashtu, mes sulmit të madh mbi Izraelin qendror.
Shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi ndaj Izraelit.
Civilët në të gjitha anët duhet të mbrohen dhe kjo situatë shpërthyese duhet të de-përshkallëzohet”, thuhet në reagim.
Që nga fillimi i konfliktit të hënën Hamas dhe organizata të tjera fundamentaliste kanë qëlluar mbi 2000 raketa dhe predha në drejtim të Izraelit, 90 për qind e të cilave janë ndaluar nga sistemi i Kupolës së Hekurt. Nga këto sulme kanë humbur jetën 8 persona.


