E ftuar mbrëmë në një emision televiziv, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi është shprehur se Ligji për Arsimin e Lartë ka sjellë jo vetëm rritjen e cilësisë e arsimit, por edhe autonominë e universiteteve.
Ajo është pyetur ndërkohë për deklaratat e Z. Basha mbi shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe ka komentuar se:
“Ndoshta Z. Basha mund të rikthejë edhe ato universitetet fantazmë, nuk e vë në dyshim që mund ta bëjë edhe këtë. Ne jemi krenarë për Ligjin e Arsimit të Lartë. Natyrisht është diçka e re dhe duhet kohë deri sa të aplikohet dhe të zbatohet 100% siç është në letër, por ky ligj, ju siguroj që është konsultuar me të gjitha universitetet, me të gjitha grupet e interesit dhe mori një kohë shumë të gjatë”- tha ministrja Kushi.
Ajo shton më tej se në atë kohë ka qenë deputete dhe e di shumë mirë se vetëm diskutimi i këtij ligji mori shumë kohë.
“Grupet që ishin të ngarkuar për hartimin, ekspertë e pedagogë, kanë shkuar në të gjitha universitetet për të marrë sugjerimet, mendimet dhe opinionet” – shton Znj. Kushi duke nënvizuar se të gjitha ndryshimet që ia vlenin dhe ishin të përshtatshme u reflektuan në atë ligj.
Duke i cilësuar deklaratat e Z. Basha si politike, Ministrja Kushi tha se ky ligj:
“Është një ligj i përafruar me ligjet e BE-së ku ne duam të aderojmë, por natyrisht i përshtatur me kushtet specifike të Shqipërisë. Jam kurioze nëse z. Basha do t’i kthejë edhe 22 universitetet
të cilat shisnin diploma pa vlerë.”- tha Ministrja Kushi.


