Kompania japoneze Fujifilm tha se do të rinisë provat klinike për barnën antivirale Avigan, për trajtimin e Covid-19.
Miratimi për përdorimin e ilaçit u shty, pasi një panel i Ministrisë së Shëndetësisë tha në dhjetor të vitit të kaluar se të dhënat e provave të para nuk ishin vendimtare. Studimi i ri do të përfshijë 270 pacientë, ndërsa Fujifilm do të kërkojë miratimin në muajin tetor.
Japonia e kishte aprovuar Avigan, i njohur si favoripiravir, si një ilaç emergjent ndaj gripit. Por barna ka treguar se mund të shkaktojë defekte në lindje te kafshët, dhe efektet e saj në trajtimin e koronavirusit janë të vështira për t’u demonstruar.
Megjithatë qeveria japoneze i ka kërkuar Fujifilm të trefishojë prodhimin e ilaçit, ndërsa Rusia, India dhe Indonezia e kanë aprovuar për përdorim.


