Në Maqedoninë e Veriut ditën e djeshme nis vaksinimi anti-COVID fillimisht i punonjësve të shëndetësisë, një vit pas konstatimit të rastit të parë me virusin.
Rreth 5 mijë vaksina të kompanisë BioNtech/Prfizer janë dhuruar si donacion humanitar nga Serbia dhe kjo ka mundësuar nisjen e vaksinimit në Maqedoninë e Veriut.
Një pjesë e punonjësve të shëndetësisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës tashmë dhe deklaruan se ndihen mirë, duke i bërë dhe apel qytetarëve të mos kenë dyshime sepse kjo është mënyra e vetme për t’u përballur me pandemisë.
Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut pritet të mbërrijnë doza të vaksinës kineze Sinopharm dhe të vazhdojë procesi i vaksinimit me qytetarët.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk u vaksinua, pasi tha se përparësi do t’i japë personelit mjekësor që ndodhet në vijën e parë të frontit në përballje me koronavirusin.
Filipçe ditën e djeshme tha se sipas informacioneve më të reja, 50 për qind e të infektimeve kanë qenë me variantin e ri britanik të COVID-19, duke ngritur alarm në vend.
“Me përqindje të madhe, të testuarit nga janari e këtej dhe sipas informacioneve më të reja, 50 për qind e të testuarve i takojnë llojit britanez”, tha Filipçe.
Ai shtoi se duhet të tregohen të kujdesshëm me masat anti-COVID për shkak të “shpërthimit” të rasteve të infektimeve me variantin britanik.
“Deri tani në Maqedoni janë zbuluar 30 mutacione të coronvirusit”, tha Filipçe.
Ditën e djeshme janë shënuar 347 infektime ndërkohë 4 persona humbën jetën si pasojë e COVID-19.


