Dy persona me precedentë të mëparshëm penal në fushën e mashtrimit dhe organizatës kriminale, janë ndaluar nga policia e Korçës.
Kjo e fundit ka bërë të ditur se ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit të shpallur në kërkim, A.J., i cili akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”. Gjithashtu në pranga ka përfunduar edhe shtetasi me inicialet N.M., 62 vjeç, i akuzuar për disa vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i policisë:
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan shtetasin e shpallur në kërkim A. J., 57 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 02.07.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”.
Në pranga ra edhe shtetasi N. M., 62 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 07.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” më shumë se një herë e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Grupi i strukturuar kriminal”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burg.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.


