Zenepe Luka Çekrezi humbi jetën dje, pas disa ditëve betejë me koronavirusin në një nga spitalet Covid në Tiranë. Miqtë e kujtuan gazetaren sot në emisionin “Shqipëria Live”.
Skenaristja Vllasova Musta, tregoi se e njihte Zenepen që kur ishin 18 vjeçe dhe se kanë qenë në shkollë së bashku.
As vitet e dekadat nuk na ndanë asnjëherë. Në një jetë njerëzore është e bukur të kesh mik e mikesha, ta zbukurojnë jetën. E tillë ishte edhe ajo. I thosha: “Ti di ti japësh vlerë një date që nuk ka asnjë vlerë”. Me merrte në telefon e më thoshte ‘Dua të të jap një mendim, si thua a mund ta bëjmë këtë, e ishte ajo gjithmonë që e plotësonte. Nuk e njihte pengesën asnjëherë”, tha Musta.
Ndërkohë politikani, Arben Malaj, kujton përkushtimin e Zenepe Lukës në gazetari dhe në shoqatën që drejtonte.
“E kam njohur që në vitet ’90 kur jetoja dhe punoja në Vlorë. I bënte aktivitetet që organizonte, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së ekonomisë. Ka qenë një nga gazetaret kryesore në periudhën më të vështirë që kemi kaluar. Por, ishte një grua që nuk dorëzohej lehtë”.
Nga ana tjetër, gazetari i njohur Alfred Peza përmend ngjarjen e vitit 1998, kur në shtëpinë e saj u vendos një sasi tritoli, dhe thotë se është një nga pengjet e saj që nuk u zbardh kurrë si ngjarje, edhe pse i rrezikoi gjithë familjen.
Ishte një nga pengjet e saj dhe jo vetëm të saj, por edhe të ne si gazetareve dhe qeverive që nuk shkuan te urdhëruesit e asaj ngjarje. Është fatkeqësi që ngjarje të tillë u ndodhin gazetarëve, që janë për të informuar publikun. Fati deshi që përtej dëmeve materiale, ata të shpëtonin”, tha Peza.


