Pas gjobave ndaj ministrave dhe politikanëve, policia rritur nivelin e ndëshkimit edhe tek qytetarët.
Sipas informacioneve zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur 1278 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Gjithashtu, janë ndëshkuar 10 administratorë subjektesh që kanë zhvilluar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe 41 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur pas orarit të lejuar.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nisur nga rastet e shtuara të infektimit me COVID-19, kanë intensifikuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme në të gjithë vendin kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 1103 shtetas që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative 175 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskën mbrojtëse, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 59 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.


