Qeveria në paketën fiskale për vitin 2018 ka vendosur një sërë lehtësish për hotelet me 4 dhe 5 yje, si taksë zero në infrastrukturë, zerim të tatimfitimit për një periudhë 10 vjeçare, ulje të TVSH-së në 6 % edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera, por edhe përjashtimin nga taksa mbi ndërtesat.
Kjo i përgjigjet edhe fluksit në rritje të numrit të turistëve ku sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, numri i prenotimeve për vitin 2018 të cilat janë parapaguar është rritur me 40 % krahasuar me këtë vit.
“Shqipëria ka prekur numrin më të madh të pushuesve të huaj duke arritur mbi 2 milionë deri në fund të muajit shtator, shifër e cila është rritur me rreth 350 mijë krahasuar me një vit më parë”, deklaroi Çollaku.
Po të shohim prurjet, nga cili shtet vijnë, Çollaku thotë se vihet re se është rritur me rreth 50 % numri i pushuesve nga Italia, Gjermania e Zvicra, gjë e cila tregon nevojën që ka tregu për struktura akomoduese sa më cilësore.
Kreu i AKT-së Çollaku thotë se gjatë pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare është vënë re qartë rritja e kërkesës së tregut për investime në hoteleri dhe struktura akomoduese.
“Ky është pikërisht momenti i duhur për ndërmarrjen e lehtësirave fiskale për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori”, deklaroi ai.
Por nga paketa lehtësuese e qeverisë përfitojnë vetëm ato marka hotelesh të listuara si “brand name” .
Çollaku shprehet se planet vendore të bashkive të cilat janë drejt finalizimit (pasi 47 prej tyre e kanë përfunduar) do të ndihmojë shumë në qasjen që çdo investim do të duhet të bëjë duke ruajtur parametrat dhe kriteret që janë të përcaktuara me një akt nënligjor në vijim të ligjit për turizmin.