Më shumë se sa koronavirusit, qytetarët po i druhen së fundmi mutacionit që ka pësuar, për të cilin thuhet se është më i transmetueshëm dhe më agresiv.
Frika bëhet më e madhe në kushtet kur nuk kemi kapacitetet laboratorike për ta identifikuar dhe izoluar në kohë. Nga ana tjetër, rastet e reja dhe fatalitetet po njohin rritje, përtej shifrave të pikut të pandemisë, në dhjetor të 2020-ës. Dy ditët e fundit nga Instituti i Shëndetit Publik kemi disa deklarata evazive që flasin për një lloj të ri, por të papërcaktuar. Sipas nëndrejtorit Dritan Ulqinaku, i cili nuk i qëndroi deklaratës së tij deri në fund, një tjetër zë po nga Instituti i Shëndetit Publik flet për raste konkrete të dyshuara që janë referuar në një laborator jashtë vendit.
“Ne përdorim një metodologji e cila na dallon që nuk kemi të bëjmë me koronavirusin që kemi pasur deri tani. Llojin specifik të mutacionit, nëse është i Afrikës së Jugut apo nga diku tjetër, zbulohet nëpërmjet sekuencimit, një metodologji që nuk e bëjmë. Kemi pasur dy raste në Elbasan që kanë pasur kontakte me persona jashtë vendit të infektuar me këtë virus. Megjithatë ne po vëzhgojmë e hetojmë”, deklaroi shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, teksa shton që për çdo rast tjetër të ngjashëm, mostrat do të dërgohen në Spanjë, pasi laboratorët tanë nuk e identifikojnë dot.
“Për çdo dyshim që kemi, mostrat do t’i dërgojmë në Spanjë, sepse kemi një marrëveshje. Ne duhet të përpiqemi ta ndalojmë pandeminë”, nënvizoi shefja në ISHP, duke apeluar qytetarët të mos e ulin vigjilencën pas nisjes së procesit të vaksinimit, pasi do të duhet kohë të kalojmë pandeminë. Ashtu si vende të shumta në botë që kanë vënë kufizime për shkak të varianteve të reja në përpjekje për të frenuar virusin, edhe yni deri në fillim të muajit shkurt ka ndërprerë fluturimet me Britaninë e Madhe.
BILANCI DITOR
Prej ditësh infektimet e reja janë në kufijtë e 900 rasteve, ndërsa hospitalizimet dhe fatalitetet në rritje. Ditën e djeshme, laboratorët publikë e privatë, përfshirë testet e shpejta, kanë identifikuar 887 raste të reja. Çereku i personave të testuar rezultojnë pozitivë, përqindje kjo e paluhatur prej ditësh. “Janë kryer 3891 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 887 qytetarë”.
Por ndryshe nga më parë, nuk është Tirana monopoli i rasteve të zbuluara. Ato janë të shpërndara në çdo cep të Shqipërisë. Ndonëse mban peshën më të madhe në nivel qarku sa u takon rasteve aktive, pas kryeqytetit janë të tjera vatra problematike që kanë numra të larta në raport me popullsinë që kanë.
“Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 330 raste në Tiranë, 56 raste në Durrës, 55 raste në Vlorë, 43 raste në Lushnje, 38 raste në Fier, 34 raste në Elbasan, 23 raste në Berat, 21 raste në Kurbin, 19 raste në Shkodër, 18 raste në Kavajë, 17 raste në Krujë, Lezhë, 16 raste në Kamzë, 14 raste në Mallakastër dhe Gramsh, 13 raste në Kukës, 12 raste në Gjirokastër, Sarandë, 11 raste në Kuçovë, 10 raste në Librazhd, 8 raste në Pogradec, 7 raste në Mirditë, Delvinë, Malësi e Madhe, Shijak, 6 raste në Mat, Divjakë, Dibër, Skrapar, 5 raste në Patos, 4 raste në Korçë, Has, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Vorë, 3 raste në Rrogozhinë, Peqin, Poliçan, 2 raste në Tropojë, Tepelenë, Belsh, Përrenjas, Bulqizë, Himarë, Klos, 1 rast në Devoll, Selenicë, Roskovec, Cërrik, Këlcyrë, Libohovë”, raporton Ministria e Shëndetësisë. Pas ditësh të tëra, viktimat për shkak të Covid numërohen me dyshifrorë. Dje u shënuan 11 vdekje në spitalet Covid, të cilat pasi u zbrazën në gjysmë të kapacitetit të tyre, kanë filluar të mbushen me pacientë. “Aktualisht në 4 spitalet COVID po trajtohen 292 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 11 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID. 8 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kavaja, 1 qytetar nga Mirdita, të moshave 54-86 vjeç”.


