Elvira dhe Elez Dungaj, burrë dhe grua banues në qytetin e Lezhës nga komuniteti Rom tregojnë se në vitin 2011 rreth orës 10 të mbrëmjes në portën e shtëpisë së tyre troket një vajzë e re rreth të 19-ave me një foshnje 3-ditësh në krah.
Vajza kërkon ndihmën e tyre për të kaluar natën aty pasi i duhej që të nesërmen të ikte për në Shkodër. Të nesërmen në mëngjes herët ajo ishte larguar pa thënë asgjë dhe foshnjën e kishte lënë aty.
Elvira ngrihet për të bërë bashkëshortin e saj gati për në punë dhe sheh krevatin bosh. Presin pak ditë se mos mamaja e djalit do kthehej për ta marrë foshnjën, por ajo nuk erdhi.
Çifti në fjalë ka dhënë një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku tregojnë se pasi kuptuan se nëna e kishte braktisur fëmijën kanë shkuar në polici dhe denoncuar rastin.
Elvira tregoi se nëna e foshnjës ka reaguar vetëm pak ditë pas largimit të saj, përmes një telefonate anonime. Ajo i thoshte Elvirës që mund të shkonin në maternitetin e Shkodrës dhe të merrnin certifikatën pasi aty e kishte lindur.
“Ishte 19 vjeçe, kishte 3-4 ditë që kishte lindur. Erdhi trokiti në derë e më tha ‘a të rri sonte këtu’. E mbajtëm. I thashë a di ta lash fëmijën, e më tha jo. E lava unë fëmijën dhe më pas u la edhe ajo. E kishte lindur në Shkodër fëmijën dhe kishte ardhur në Lezhë. Ajo ishte nga Tirana. I thashë burrit ka ikur dhe ka lënë fëmijën këtu.
Pas një jave më mori në telefon e më tha jam nëna ë fëmijës, i thashë hajde e merre fëmijën. Ajo nuk erdhi. E kishte të regjistruar fëmijën në Shkodër. Kemi shkuar ne dhe morëm letrën që me vendim gjykatën e morëm djalin.
E mira është që të vijë ta marrë, edhe pse e kam rritur me sakrificë, por nëna e saj është fundja. Fukarenj jemi, por për një copë bukë nuk vdes njeri. Mua ma di i madhi Zot. Edhe burri do e ndjente mungesën e tij, se e kemi rritur. Kanë hy shirat në këtë shtëpi plot 30 vite. 19 mijë lek marr për djalin, se kam kujdestarinë e tij. Kam qëndruar vetë pa bukë që t’i blej atij ilaçet se kishte probleme me bajamet”, tha Elvira.




