Kryeministri Edi Rama duke folur nga Kuvendi në seancën e parë parlamentare në këtë sesion të fundit, për vaksinat dhe ecurinë e vendit tonë, përmendi për të disatën herë dhe rastin e abuzimit nga ish-sanitarja Tire Alldervishi.
Rama tha se një personazh i tillë i neveritshëm nuk mund të njollosë të gjithë bluzat e bardha. Ndërkohë që falenderoi mediat që e bënë publik rastin në fjalë.
“Ne jemi përgatitur më së miri për të pasur gatishmërinë që cilido qoftë numri i dozave në dispozicion. Në këtë proces, mund ta themi me plot gojën se sistemi ynë shëndetësor ka dëshmuar qëndrueshmëri, largpamësi. E mira nuk ka fund, ka patjetër probleme për të zgjidhur në kohë reale, ka patjetër çështje për të adresuar, ka patjetër momente të trishtueshme, sic ishte momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në Spitalin Shefqet Ndroqi, por nga ana tjetër, aq edhe pozitive ishte që një qytetare denoncoi, që një media investigative e mbështeti qytetaren dhe i shkoi deri në fund, që ajo është pas hekurave dhe që mesazhi u dha qartë. Qytetarët të mos heshtin dhe të denoncojnë çdo rast të çfarëdo niveli abuzimi. Është e patolerueshme që një numër, që është një pakicë e pakicës, në sistemin tonë shëndetësor, të njëllosë e përdhosë bluzat e bardha, sakrificat e atyre që edhe jetën e humbën në këtë luftë për të shpëtuar jetë. Është e patolerueshme që kushdo që bie pre e këtyre abuzimeve të heshtë. Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia për humbjen nga covidi asaj vajzës që humbi nënën tek spitali. Dua t’i shpreh falenderimet gazetarëve dhe medias që e bënë publik rastin. Na kanë munguar emisionet investigative, pasi nxjerrin në pah problematika që haset jo vetëm Shqipëria, por shumica e vendeve”, u shpreh Rama.


