Një punonjës policie në Fier ka mbetur i plagosur pasi është përplasur fizikisht me disa grabitës, të cilët më pas në ikje e sipër kanë përplasur dhe makinën e tij.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 06:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në Fier.
Tre persona të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur dyqanin e celularëve në pronësi të shtetasit R. C, por gjatë tentativës së tyre ata janë pikasur nga një punonjës i policisë, i cili po shkonte për të marrë shërbimin në zonën policore.
Punonjës i Policisë ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre mjetin privat të punonjësit të policisë.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët të cilat do të shërbejnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.