Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka lëshuar 23 urdhër arreste për efektivë policie dhe zyrtarë të cilët akuzohen për pastrim parash dhe për kultivim kanabisi. Operacioni është në vijim e sipër teksa SPAK njofton se janë dokumentuar 28 raste ku përfshihen këta 23 persona. Arrestimet e tyre janë bërë në Berat dhe në Skrapar dhe mësohet se mes të tyre janë dhe 4 efektiv aktualë të policisë.
Situata paraqitet e rëndë. Skrapari si një ‘Lazarat’ i dytë për kultivimin e lëndëve narkotike. Kjo është si një rrufe në qiell të hapur, pasi deri tani askush nuk e ka denoncuar këtë problematikë kaq madhore, as nga opozita as nga gazetarët investigative të specializuar në nuhatjen e kanabisit.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka zbuluar ekskluzivisht se si është dekonspiruar operacioni në Skrapar. Një efektiv i policisë, Astrit Duro ka dekonspiruar pasi sapo ka përfunduar mbledhja brenda policisë ka telefonuar një nga të arrestuarit, Enver Muçaj ku i ka thënë se duhet të zhdukte drogën.
“Merre atë Fuatin në telefon, atë Fuatin urgjentisht dhe thuaji po pati mundësi t’i zhduku sa më parë tërë natën! Nesër për nesër, hajt shëndet”, mësohet t’i ketë thënë ai.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë sekuestruar gjithsej 5045 bimë narkotike të llojit “cannabis sativa”, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjëndje të thatë, e gatëshme për t’u trafikuar.
Nga hetimet e kryera, si përgjimet telefonike, vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore rezulton se në territorin e rrethit te Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme, pothuajse në gjithë këtë territor. Janë dokumentuar disa episode të sekuestrimeve të lëndëve narkotike dhe personat e dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Janë dokumentuar dhe sekuestruar lëndë narkotike e llojit cannabis sativa në 28 episode, në të cilat ishin ngritur impjante vaditje, vendqëndrimi dhe vendstrehime për punonjësit që punonin në këto parcela dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për këtë aktivitet kriminal”, shkruan SPAK
Ndërkohë që në njoftimin e Policisë së Shtetit thuehet se operacioni i koduar “Gjergjova” erdhi pas 7 muajsh hetime.
Janë ekzekutuar 22 masa sigurie, nga këto: 15 masa sigurie “Arrest në burg”, 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 3 masa “Detyrim paraqitjeje”, si dhe është shpallur në kërkim 1 person që nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur prej qershorit të 2020 dhe vijojnë ende. Sipas SPAK, janë dokumentuar veprime të paligjshme të disa punonjësve të policisë, Neritan Naska (Shef i Stacionit të Policisë Poliçan), Klement Zeqo, Bardhyl Çela, Astrit Duro me detyrë punonjës policie. Prokurorët të cilët kanë ndjekur procesin dhe kanë kërkuar masat për të arrestuarit janë Vladimir Mara e Altin Dumani.
Të përfshirë janë edhe kreu i Njësisë Administrative Tërpan Fatos Lamaj si dhe kryeplaku i fshatit Çorrogjaf. Këta persona akuzohen për veprat penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e posaçme, atë të “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
GJKKO ka dhënë masa sigurie për disa prej personave të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.
“Arrest shtëpie për Neritan Naskën”, shefi i policisë Poliçan
“Arrest me burg” për policët Klement Zeqo, Bardhyl Çela e Astrit Duro
“Arrest shtëpie” për Kreun e Nj. Adm Tërpan, Edmond Zotko
“Arrest shtëpie” për kryeplakun e Fshatit Çorrogjafë, Fatos Lamaj
“Arrest me burg” për Arben Leklin, Sefedin Dokajn, Alban Bendon
“Arrest me burg” për Fation Beshirin, Selfo e Esmrald Kaposhin
“Arrest me burg” për Zylyftar Zhijdran, Ilia Ballon, Olgert dhe Elson Dusho
“Arrest me burg” për Teki Dushon dhe detyrim paraqitje për Fuat Dushon
“Detyrim paraqitje” për Enver Muçajn dhe Ilir Shimin
“Arrest me burg për Altin Sulën dhe Redjan Shimin
“Arrest në shtëpi” për Anxhela Beshirin






