Ngjarja më e rëndë në ditët e fundit në Itali dhe Shqipëri ka qenë gjetja e çiftit Shpëtim dhe Teuta Pasho pas një zhdukjeje 5-vjeçare. Fatkeqësisht, ata janë gjetur të masakruar dhe trupat e tyre kanë qenë të prerë dhe të ndarë në 4 valixhe, pranë burgut të Solliccianos.
E akuzuar për këtë ngjarje të rëndë është nusja e çiftit, Elona Kaleshi, e cila është arrestuar më 22 dhjetor me urdhër të prokurores Ornella Galeotti me akuzat e vrasjes, fshehjes dhe poshtërimit të kufomave.
Ditën e sotme për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel ka folur avokati i saj italian, i cili ka thënë se Elona është shprehur se “është e pafajshme”. Sipas tij, deri më tani nuk ka ende prova që të vërtetojnë se Kaleshi është fajtore, ka vetëm të dhëna që janë marrë nga fqinjët e çiftit në Firence.
“Fqinjët dëshmojnë praninë e një gruaje që ngjan me Elonës, por kanë kaluar 5 vite, mund të gabojnë. Ata e kanë parë duke dalë me valixhe. Të mbash mend pesë vite më vonë tiparet fizike të një personi, për ta identifikuar, është shumë e ndërlikuar”, tha avokati.
Ky i fundit tha se Elona nuk ka dhënë asnjë deklaratë për të akuzuar të dashurin e saj, se mund të ketë vrarë prindërit.
Ndërkohë e pyetur në lidhje me një bisedë të Elonës me kunatin e saj, ku akuzon të dashurin për vrasjen, avokati tha se “tabulatet telefonike nuk janë akuza”.
“Tabulatet telefonike nuk janë prova, dikush ka menduar se zonja Kaleshi mund të jetë përgjegjëse, dikush tjetër ka përmendur emra të tjerë”, tha ai.
Avokati shtoi se, “është shumë e rëndësishme të presim rezultatin pas seancës gjyqësore dhe analizat që janë bërë në apartamentet nëse ka gjurmë biologjike që të lidhen me Elona Kaleshi”.
Gjithashtu avokati shprehet se i duket e vështirë që “Elona ta ketë kryer këtë veprën”. “Pashot kanë qenë dy, ajo ishte vetëm, i është dashur të transportojë valixhe të rënda, me dhjetëra kilogramë”, shtoi ai.
I pyetur nëse ka patur vepra penale të tjera Elona, avokati tha se po, por që kanë qenë të parëndësishme.


