Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se është e këshillueshme që vaksinën kundër COVID ta marrin edhe personat që tashmë e kanë kaluar sëmundjen.
Në Konferencën e Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën me pandeminë në vend, Rakacolli u shpreh se ky rekomandim bëhet për shkak se nuk dihet ende se sa zgjat imuniteti, pasi e ke fituar njëherë betejën me COVID-19.
Ndërkohë, sa i përket shkollave, ajo tha se sikurse ishte lajmëruar, arsimi parauniversitar do të fillojë më 11 janar.
“Do të fillojë me datën 11, nëse do ketë ndryshime do të njoftohen, sot e kemi që do të fillojë me datë 11, ndërsa sa i përket vaksinimit të personelit shëndetësor që kanë kaluar COVID, duhet të kemi parasysh që nuk e dimë sa zgjat imuniteti, ndaj është e këshillueshme që të vaksinohen edhe ata persona që e kanë kaluar”, u shpreh ajo.


