Shqipëria ka marrë vendimin për të pezulluar nga sot fluturimet me Britaninë e Madhe, për shkak të shfaqjes së një varianti të ri të COVID-19. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një konference me Komitetin Teknik.
Në Rinas për ditën e sotme ishin parashikuar tre fluturime që vijnë nga Londra: Në orën 01:25, i dyti në orën 11:20 dhe fluturimi i tretë në 11:25. Por të 3 këto fluturime nuk do të bëhen sipas urdhrit që u dha dje nga ministrja.
Ndërkaq dje ministrja lajmëroi ndryshime edhe në orën policore. Kështu nga data 24 dhjetor deri më 4 janar qytetarët janë të detyruar që të futen në shtëpitë e tyre para orës 20:30, jo 22:00 siç është aktualisht, në të kundërtën do të gjobiten sipas aktit Normativ që është në fuqi. Më pas, në 5 janar do të rikthehet ora policore 22:00.


