Buxheti i vitit të ardhshëm për Bashkinë e Tiranës është buxheti i rimëkëmbjes së ekonomisë pas pandemisë dhe i rindërtimit pas tërmetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak tha se në këtë buxhet reflektohen të gjitha programet e rindërtimit, duke veçuar së pari infrastrukturën arsimore.
“Me këtë buxhet ne piketojmë rimëkëmbjen tonë për çështje të rindërtimit pas tërmetit dhe të rimëkëmbjes ekonomike, sidomos në ato industri që janë prekur më shumë nga pandemia, karantina dhe gjithë problematikat që solli Covid-19 në vendin tonë. Ne do të vazhdojmë me shkollat që janë pjesë e projektit tonë standard, po përveç 17 shkollave janë edhe 12 të tjera me grupin e rindërtimit nga tërmeti për ta çuar numrin e shkollave të reja në 29 në vitin tjetër. Ne do të vendosim në buxhet këtë vit 8 konviktet e para tek Universiteti Bujqësor. Do të fillojmë gjithashtu me 3 konviktet e para tek zona e Qytetit Studenti dhe ndërkohë kemi bërë prishjet e konvikteve të vjetra të Mjekësisë dhe do të fillojmë menjëherë rindërtimin e konvikteve të reja më të mëdha. Kanë filluar pallatet dhe gjithë përgatitja e terrenit tek zona e “5 Majit” dhe po përgatitemi që në çështje ditësh të fillojmë edhe në zonën e Kombinatit, me garancinë që çdo qytetar do të vazhdojë të marrë bonusin e qirasë, derisa të marrë çelësat e shtëpisë së re ku do të futet dhe do të ketë hipotekën dhe një vlerë më të madhe se shtëpia që la, ose shtëpia që i mori tërmeti,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se me intensitet vijon puna edhe me njësitë individuale. “Ne synojmë që deri në këtë fundvit të kemi dorëzuar dhe 150 çelësa, pra edhe 150 familje të akomoduara në të gjitha rrethinat e Tiranës,” tha ai.
Kryebashkiaku deklaroi gjithashtu se me mbështetjen edhe të Bankës Europiane të Investimeve vitin e ardhshëm do të transformohet tërësisht rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm.
“Do të ketë një kontribut prej 80 milionë eurosh për UKT dhe 40 milionë euro për shtetin e Kosovës. Pagesa për Bashkinë e Tiranës do të shkojë për të fuqizuar të gjithë reformën që ne kemi bërë në Ujësjellës. Nëse nuk do kishim marrë vendimet e duhura, as BERZH, as Banka Evropiane e Investimeve, pra dy kolosët e financave, nuk do na kishin besuar. Për të gjithë ata që mundohen me histeri të provokojnë debate për vendime të mbetura pezull prej vitesh në Tiranë do të duhet të shikojnë se si sapo kemi marrë vendime të drejta dhe se si sapo kemi stabilizuar këto kompani na janë përgjigjur edhe BEI, edhe BERZH, diçka që nuk ka ndodhur me Tiranën kur qeverisej nga dikush tjetër më parë. Jo vetëm nuk kemi pasur këtë interes të të huajve, por gjithmonë ankesa se si ne praktikisht kafshonim kompanitë tona për ndere politike ndërkohë nuk furnizonim dot Tiranën as me ujë as me shërbimet bazë. Kështu që me këtë kontribut të BE Tirana do të vazhdojë edhe për 30% tjetër që ende nuk ka ujë 24 orë, por e ka le të themi më të kufizuar investimin në rrjetin kapilar, si dhe do të shohë një pjesë të madhe të këtyre financave në atë që quhet unaza e presionit,” u shpreh Veliaj.
Veliaj foli edhe për disa nga projektet strategjike të Tiranës vitin që vjen. “Projekti i parë strategjik ka të bëjë me transformimin e Piramidës, që do të jetë shtëpia definitive e qendrës TUMO, ose ndryshe shkolla e industrive kreative. Kopshti Zoologjik, një premtim që e kemi bërë, tashmë janë kryer 30% e punimeve, do të vazhdojmë me 70 përqindëshin tjetër. Një projekt tjetër që ne gjithashtu do ta vazhdojmë me Bankën Europiane të Investimimeve është zgjerimi i lumit Lana nga “Pallati me Shigjeta” deri në Kashar siç vazhdoi nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Ndërkohë që po vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës që Unaza të vazhdojë përtej “Shqiponjës”, të kalojë përgjatë Lumit të Tiranës për tu bashkuar pastaj në Tufinë dhe në Farkë aty ku sot është pjesa e tjetër e Unazës Lindore dhe për tu siguruar që brenda këtij mandati ne shohim të plotë Unazën e Tiranës,” u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj nënvizoi se një territor i madh në pronësi të Bashkisë së Tiranës në Kashar do të kthehet në një zonë të lirë ekonomike, një investim me një vlerë totale prej 102 milion euro ku parashikohet të hapen deri në 7 mijë vende pune. “Unë besoj fort që ky buxhet është një buxhet i mundësive të ringritjes pas këtyre fatkeqësive që nuk i kontrollonim dot, por që fare mirë mund të kontrollojmë mënyrën se si rekuperojmë dhe se si ringrihemi,” e mbylli fjalën e tij Veliaj.


