Qazim Rasha, babai i 25 vjeçarit Klodian Rasha që u qëllua me armë zjarri më datë 8 dhjetor nga një efektiv i Shqiponjave, beson se shteti do ta bëjë punën e vetë dhe do të japë drejtësi.
Për News 24, babai i Klodianit ka folur dhe për ndryshimin e akuzës ndaj policit që i vrau djalin, duke thënë se “gjërat do të shkojnë atje ku duhet.” Kujtojmë se, Prokuroria ndryshoi akuzën ndaj efektivit Nevaldo Hajdaraj, nga “Vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”, në “Vrasje me dashje”.
“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time. S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet.
Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhshin, është e paimagjinueshme. Nuk mundem më, kam besim se shteti do bëj punën e vet. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua. Kam besim se shteti do të bëjë punën e vet”, u shpreh Qazim Rasha.


