Presidenti i Republikës pas disa ditësh heshtje në lidhje me zhvillimet e fundit në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, që kanë pasuar vdekjen tragjike të 25 vjeçarit Klodian Rasha, ka dalë hapur duke treguar se në anën e kujt është.
Përmes një statusi në facebook, Ilir Meta duke mos u distancuar dhe duke mos e dënuar për asnjë çast dhunën mbi institucionet, mbi punonjësit e rendit publik si dhe vandalizmin e shkatërrimin e pronës publike e private, thjeshtë ka dëshmuar se direkt ose indirekt qëndron vetë pas saj. Fajtor njësoj je, edhe me veprime edhe me mosveprime. Edhe duke e inkurajuar, edhe duke mos u distancuar, e duke mos u dënuar dhunën.
Inkurajimi që Kryetari i Shtetit i ka bërë dhunës, përmes heshtjes, dëshmon publikisht atë që dihej por që tashmë u konfirmua edhe prej tij. Duke gjetur si pretekst denoncimin e rastit të gazetarit Xhoi Malësi plot 24 orë pas shoqërimit të tij nga policia, Ilir Meta thjeshtë ka dashur që të inkurajojë protestën e radhës që pritej të zhvillohej vetëm 1 orë përpara postimit të Presidentit.
Është e pashembullt në historinë e Shqipërisë por edhe të demokracive të botës së civilizuar, që Kryetari i Shtetit të mos dali në mbrojtje të institucioneve kushtetuese të vendit, qetësisë dhe rendit publik që po cënohen nga grupe të dhunshme, që po e përdorin vdekjen fatkeqe të një të riu, si një pretekst për luftë politike në dobi të opozitës.
Fakti që as Presidenti i Republikës, as Kryetari i PD dhe as kryetarët e partive të tjera të “Opozitës së Bashkuar” nuk bëjnë thirrje për qetësi, për distancim nga dhuna qorre, nga shkatërrimet barbare dhe zjarrvënia është treguesi se ata janë frymëzuesit dhe nxitësit dhe se po mundohen që ta përdorin atë për të nxjerrë përfitime politike prej saj.
Nuk ka krim të rëndë sesa të tentosh të shfrytëzosh gjakun e një të pafajshmi, për përfitime elektorale në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ky është treguesi më i qartë se në pamundësi dhe të pafuqishëm politikisht për të fituar me votë, opozita jonë, vazhdon rrugën e saj të vjetër të “revolucioneve” si e vetmja mënyrë për tu rikthyer në pushtet.
Se ku të çon në fund kjo filozofi, u pa vitin e kaluar, kur për herë të parë “Opozita e Bashkuar” e humbi gjithë pushtetin lokal. Historia politike po përsëritet, por ajo e dhunës së verbër, duhet të mari përgjigjen ligjore të merituar.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
“Ndalimi për raportim, dhuna fizike e verbale dhe shoqërimi i pajustifikuar në ambientet e paraburgimit të gazetarit Xhoi Malësia, gjatë mbrëmjes së datës 10.12.2020 nga efektivë të Komisariatit Nr.2 të Drejtorisë së Policisë Tiranë, për më tepër në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është një rast thellësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Përdorimi i panevojshëm dhe shproporcional i forcës nga ana e Policisë së Shtetit ndaj çdo qytetari përbën shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut!
Duke shprehur shqetësimin e madh për klimën në rritje armiqësore, veçanërisht ndaj gazetarëve, nga ana e zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore dhe në veçanti të disa efektivëve dhe drejtuesve të caktuar të Policisë së Shtetit, i kërkoj organit të Prokurorisë të nisë pa vonesë një hetim të pavarur për të vënë para përgjegjësisë ligjore frymëzuesit, urdhëruesit dhe autorët e kësaj dhune fizike e verbale jo vetëm ndaj gazetarit Xhoi Malësia, por dhe ndaj qytetarëve e përfaqësuesve të shoqërisë civile.
I bëj thirrje publike Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe çdo efektivi me uniformë të bëjnë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të Policisë së Shtetit, të distancohen menjëherë nga aktet e shëmtuara dhe të dënueshme të dhunës, si dhe të kenë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet.
Duke apeluar me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi dhe çdo lloj presioni ndaj gazetarëve, sidomos gjatë ushtrimit të detyrës, shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror.”
AlpeNews.al


