Më shumë se 30 orë pas ngjarjes tragjike, ku një efektiv policie vrau në mënyrë të dyshimte 25 vjeçarin Klodian Rasha në Tiranë, ka reaguar edhe ministri Sandër Lleshaj.
Ministri thotë se “E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH”, ndërsa i shpreh ngushëllime familjes.
“Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.
Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.
Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.
Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.”, shkruan Lleshaj.
Klodian Rasha u ekzekutua dje pas mesnate, nga një efektiv i “Shqiponjave”, i cili është vënë në pranga. Vrasja ka qenë në ‘tejkalim të kompetencave” pasi i riu nuk paraqiste rrezik. Policia njoftoi se ka gjetur një armë zjarri, pak më larg nga vendi i vrasjes, por ende nuk dihet nëse i përket viktimës.
Vrasja e 25 vjeçari ka shkaktuar shumë zemërim, ndërsa sot janë paralajmëruar edhe protesta.


