Pas skualifikimeve një muaj më parë nga i famshmi “Komisioni Ruli-Nishani”, Partia Demokratike duket se po përballet me një përçarje të madhe.
Sikur të mos i mjaftonin të gjithë ish eksponentët e funksionarët që sot kanë krijuar partinë e tyre, edhe ata që janë brenda po japin sinjale të forta largimi.
I fundit ka qenë Halim Kosova, ish kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë që në një intervistë tha shumëçka prapaskena që po bëjnë jo pak zhurmë ditët e fundit në rrjet.
“Kjo e do një ilaç me se s’bën, shqiptarët janë të mërzitur sot. Nuk dinë cilës anë ti besojnë. Njerëzit janë të zhgënjyer dhe ky nuk është vetëm faji i qeverisë por edhe i opozitës që nuk krijon besim. Kanë humbur besimin, kur marrin njerëzit çantat dhe ikin nuk është faji vetëm i qeverisë. Nuk jam për ta shkallmuar PD-në, por me mënyrën time do të jem faktor vendimtar që të krijoj besim. Ju më bëtë një pyetje qëparë, po e modifikoj pak. Shkova dhe trokita tek dera e PD, thashë që mund t’ju ndihmoj në sektorin e shëndetësisë, ta shoh sektorin cep më cep. Dera që e mbyllur, i rashë i rashë, su përgjigj njeri. Kur ika, dëgjova zëra, kthehem dhe i bie më fortë. Kur më mbrapa, një zë as burrë as gru, më thanë “Ik se do të lëshojmë Rulin dhe Nishanin”.
Ky komision mua më ka seleksionuar. Thonë që kam dy karakteristika, e para, nuk shaj PS-në, turp i madh, sikur kam shkuar të shaj njeri unë atje. Dhe sipas Nishanit, më falni… të kesh dy palë benevrekë, dy palë pampers në prapanicë, të thuash ky është i lodhur po unë do shkoj të jap kontribut në PD, kjo nuk e di si mund të ndodhë. Unë jam luftarak, çdo gjë në jetë e kam bërë me luftë. Unë po e ndava mendjen nuk ka njeri që më ndalon”,- ka thënë Halim Kosova tek Adi Krasta në Syri Tv.
E gjitha kjo tregon qartë se Partia Demokratike prej kohësh ka humbur demokracinë brenda saj.Ndonëse numri dy përpiqet çdo herë që të tregoj se i gjithë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve vajti fjollë, faktet duket se po i përplasen dita ditës në fytyrë.
Thënë kjo, pasi pas akuzave të Halim Kosovës, mediat kanë zbuluar edhe një përplasje të fortë të Gazmend Bardhit me ish deputeti Endri Hasa.
Mësohet se konflikti ka lindur pasi komisioni e skualifikoi Hasën nga rruga e tij e mëtejshme për kandidat për deputet.
Lulzim Basha duket se ia ka deleguar peshën e mbajtjes së kaosit në PD, Bardhit dhe ky i fundit po tregon se jo vetëm që nuk e mban dot por edhe se situatën e ka totalisht jashtë kontrolli.
Për të ardhur keq kur mendon se po Bardhi shprehej se të gjithë kandidatët e përfshirë provuan edhe njëherë se Partia Demokratike është forca më vitale politike me burime të jashtëzakonshme njerëzore, si dhe falenderonte anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për punën voluminoze dhe me përkushtim të kryer gjatë gjithë këtij procesi.
Komisionin e pamë, po kandidatët që provuan se PD është forca më vitale politike nuk po e shohim ende. Krejt e kundërta duket e vërtetë.
AlpeNews.al