Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të ketë vetëm gra në ekipin e lartë të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, të udhëhequr nga drejtoresha e komunikimit që i shërbeu atij gjatë fushatës, Kate Bedingfield.
Sipas ‘The Guardian’, Bedingfield tani do të jetë drejtoreshë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, dhe Jen Psaki do të jetë sekretare e shtypit. Biden gjithashtu ka në plan të emërojë një grua si drejtoreshë e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.
Neera Tanden, presidentja dhe shefja ekzekutive e Qendrës për Progresin Amerikan, një kritike liberale, do t’i jepet detyra e mbikëqyrjes së zbatimit të politikave të Biden.
Të tre gratë janë veterane të administratës së ish-presidentit Barack Obama. Bedingfield kishte shërbyer si drejtoreshë e komunikimit për Biden, teksa ky i fundit ishte nënkryetar; Psaki ishte drejtoreshë e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë dhe zëdhënëse në Departamentin e Shtetit; Tanden shërbeu si këshilltare e lartë e sekretares së atëhershme të shëndetit dhe shërbimeve njerëzore, Kathleen Sebelius.
Karine Jean Pierre, do të shërbejë si zëvendëse sekretare kryesore e shtypit për presidentin e zgjedhur Joe Biden;
Pili Tobar, e cila ishte drejtoreshë komunikimi për koalicionet në fushatën e Biden, do të jetë zëvendës drejtoreshë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë;
Një tjetër grua që pritet të emërohet në një rol të lartë në administratë është Cecilia Rouse, e cila do të bëhet kryetare e Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë.








