Një grup fermerësh në Konispol kanë përfituar falë qeverisë shqiptare dhe programit IPARD II, një fond prej gati 500 mijë eurosh, për të blerë 13 traktorë dhe agregatë të tjerë bujqësorë.
“Xarra e historive të suksesit në bujqësi ka pritur së fundi disa traktorë të rinj, të blerë falë mbështetjes së programit IPARD. Përfituesit janë një grup fermerësh të cilët do të kenë sot e tutje mekanizimin kaq shumë të domosdoshëm për punimet në bujqësi”, u shpreh kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje këtë histori suksesi.
Vlera e kësaj mbështetje për blerjen e traktorëve të teknologjisë së fundit me gjithë agregatë shkon në rreth 500 mijë euro.
“Thirrja e tretë e IPARD II që hapet më 10 dhjetor është një mundësi tjetër shumë e mirë për fermerët tanë, për të blerë mjete e pajisje dhe për të zgjeruar sipërmarrjet e tyre në sektorin bujqësor dhe agropërpunim. Krahas mbështetjes me grante, rritjen e shkallës së mekanizimit në bujqësi do ta ndihmojë edhe skema e naftës pa taksa që do të aplikohet vitin e ardhshëm”, u shpreh Rama.


