Gjiganti amerikan i farmaceutikës Pfizer, një nga kompanitë lidere në kërkimet për vaksinën kundër koronavirusit, thotë se provat kanë treguar se vaksina e tyre funksionon në 90% të rasteve.
Pfizer dhe BioNTech njoftuan ditën e sotme se pas provave masive rezultoi se 9 nga 10 persona që kryen vaksinën janë të mbrojtur nga koronavirusi.
“Një ditë e madhe për shkencën”, deklaroi kreu i kompanisë amerikane, e para që ka arritur të tregojë të dhëna të suksesshme nga provat klinike në shkallë të gjerë për vaksinën anti-Covid-19.
Nga provat e kryera, deri më tani nuk është vënë re asnjë komplikacion anësor që vaksina mund të shkaktojë te vullnetarët, e tashmë pritet të kërkohet autorizim nga autoritetet në SHBA për të nisur përdorimin urgjent nga muaji i ardhshëm.
Por nëse autorizohet, numri i vaksinave pritet të jetë i vogël. Ndërsa ka ende pyetje pa përgjigje, si për shembull, për sa kohë ofron mbrojtje vaksina.
“Kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin. Kemi arritur në një pikë tepër të rëndësishme në programin tonë të zhvillimit të vaksinës”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë Albert Bourla.


