Gëzim Muhaj ka shkuar në Amerikë 15 vite më parë, si përfitues i lotarisë amerikane. Edhe atje ai ka vazhduar angazhimin e tij në sferën e gazetarisë, ku transmeton programe në gjuhën shqipe, në kanalet që administron. Në lidhje me situatën e zgjedhjeve atje ai thotë se shqiptarët në Amerikë janë të prirur të votojnë atë program i cili i sjell më shumë të mira në familje.

“Ndihet pulsi i polarizimit të tejskajshëm , duke kaluar më shumë vitet njerëzit bëhen më të interesuar për politikën e Amerikës, kësaj here e shoh që shumica e shqiptarëve janë të interesuar, tani ne e shohim presidentin dhe si një përparësi dhe për familjet e tyre. Pas 15 viteve si rasti im ne e shikojmë politikën si dobiprurëse për familjen time çfarë ajo bën më mirë për familjen, kombin tim, sepse njerëzit bëhen koshient duke paguar më pak taksa, rriten më shumë të ardhura në familjen time”, tha Gëzimi.

Për shkak të pandemisë së Covid 19 ai dhe bashkëshortja kanë votuar me postë.

“Unë me gruan kemi votuar me postë, djali do shkoj në 3 nëntor. Votimi ka qenë i qetë, tani vihet re radhë më të gjata sepse njerëzit duhet të votojnë live. Kam aplikuar online , ka ardhur fleta e votimit me kodin specifik, e kam mbushur në privatësinë time, e kam futur në zarfin enkas për këtë punë dhe e kam  dorëzuar në vendet që janë enkas për këtë punë”, shprehet gazetari.

Gëzimi e deklaron hapur votën e tij në mbështetje të mandatit të dytë të presidentit Trump duke e lidhur këtë me mirëqenien e familjes së tij.

“Drejtë unë kam votuar për presidentin Trump, sepse së fundmi për 4 vite ne kemi parë veç të mira në familjen tonë. Ndërsa për 8 vjet rresht me presidentin Biden , nën president që ishte së bashku me Obamën kemi parë reforma gjysmake që nuk janë përfunduar”, u shpreh ai. 

Kozeta Zylo është një tjetër shqiptare e cila jeton prej 23 vjetësh në Amerikë së bashku me familjen e saj. Në vitin 1997 ajo është larguar nga Shqipëria së bashku me të shoqin, asaj kohe punonjës pranë korpusit të paqes,  në Ambasadën Amerikane.   

Edhe pse nuk bën pjesë në asnjë parti politike në Amerikë, ajo ka votuar live tashmë, disa ditë përpara datës 3 Nëntor.

“Ne votuam së bashku me bashkëshortin, votimi ishte i shpejtë, për shkak të pandemisë globale ne shkuam atje që të mos kishte radhë, votuam dhe u kënaqëm që votuam të dy. (kemi dhe foton pasi kanë votuar) E vërteta është që këto zgjedhje nga përvoja ime 23 vjet janë shumë të ashpra, sepse vetë pandemia globale dhe shumë gjëra të tjera e kanë ndryshuar pak rrjedhën e historisë”, tha ajo.

Për Kozetën, çdo ndryshim në presidencën amerikanë sjell ndryshim në të gjithë botën, ashtu edhe në Shqipëri,

“Të dy partitë si presidenti Trump dhe presidenti Biden kanë programet e tyre për Shqipërinë dhe ju e patë mjaft mirë interesin që kishte presidenti Trump nëpërmjet Grenell diplomatit amerikan të cilët vendosen mes Serbisë dhe Kosovës bashkëbisedimin e tyre dhe njëkohësisht ata kanë interesat bizneset e tyre ekonomike . Ky ka qenë në plan të parë për presidentin Trump. Por mos harrojmë se edhe presidenti Biden ka programin e tij, i cili ka dhënë prova të pakundërshtueshme në lidhje me ndihmën që i ka bërë Kosovës veçanërisht , Shqipërisë. Partia Demokratike dihet që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe jo vetën partia demokratike, por të gjithë presidentët. Do të jetë foshnjore në qoftë se ne do të dyshojmë që gjërat do të ndryshojnë për Shqipërinë dhe Kosovën pasi programet e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën janë afatgjata, janë me vizion dhe nuk besoj së do të ndryshoj gjë  në rrjedhën e Shqipërisë dhe Kosovës cilido president që ta marri”, shprehet ajo. 

Rreth 200 mijë shqiptarë mendohet se jetojnë e punojnë në Amerikë, dhe sipas burimeve të Euronews pjesa më e madhe e tyre e kanë ushtruar tashmë të drejtën e votës.