Një 39 vjeçar shqiptar është arrestuar pasi u kap duke kultivuar lëndë narkotike në një shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar.
Në 4 gusht të këtij viti, policia bastisi shtëpinë dy katëshe në Fell View Avenue në zonën Woodhouse.
Ata gjetën në kuzhinë sasi të mëdha kanabisi që rritej në dhomën e ndenjes dhe tre dhoma gjumi, me drita ultravjollcë dhe dritare të mbuluara nga perde të trasha dhe çarçafë plastikë për të parandaluar largimin e nxehtësisë. Policia sekuestroi celularë, 300 £ para në dorë, së bashku me një pasaportë shqiptare dhe leje drejtimi në emër të 39-vjeçarit Ervin Nurka, i cili u gjet në shtëpi dhe u arrestua.
Fqinjët treguan se kishin parë ardhje dhe vajtje të dyshimta në banesë.
Një ekspert i barnave të drogës arriti në përfundimin se prodhimi i pothuajse 100 bimëve kanabis dhe shitja e tyre do t’u sillte një fitim prej 77,000 dollarësh.
Nurka pranoi në polici krimin e tij, ndërsa pretendoi se pranoi të punonte si kopshtar, pasi kishte borxh një sasi të madhe parash disa personave me precedentë kriminale.
39-vjeçari shqiptar kishte thënë në gjykatë se ngaqë nuk kishte arritur dot që ta paguante borxhin, ishte përballur me kërcënime me vdekje në Shqipëri.
Pasi shqyrtoi faktet gjykata arriti në përfundimin se shqiptari siguronte sasi të mëdha parash përmes kësaj veprimtarie kriminale dhe borxhi nuk mund të merrej si justifikim.
Gjykata vendosi fillimisht masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 muaj për shqiptarin Ervin Nurka.


