Tragjedia në Francë, ku një terrorist nga Tunizia vrau 3 persona, dy me prerje koke, mund të kishte patur bilanc më tragjik nëse një 44 vjeçare nuk do jepte alarmin.
Një nënë heroinë “vdiq si luftëtare”, pasi jo vetëm që luftoi me terroristin, por arriti të largohet nga kisha ku ndodhi masakra, duke dhënë alarmin.
Simone Barreto Silva, edhe pse u godit disa herë me thikë nga 21 vjeçari, doli nga kisha dhe kërkoi ndihmë në një restorant aty pranë.
Nënë e tre fëmijëve vdiq më pas për shkak të plagëve të marra.
Fjalët e saj të fundit drejtuar ndihmës mjekëve ishin: “Thuaju fëmijëve të mi se i dua”.
Anderson Argolo, një prift që njihte familjen e zonjës Silva, i tha gazetës Folha de S. Paulo: “Ajo ishte një luftëtare dhe vdiq si një luftëtare. Pavarësisht se ishte lënduar, ajo vrapoi dhe ishte në gjendje të jepte alarmin, duke parandaluar një tragjedi më të madhe “.
Motra e saj Solange Barreto tha për gazetën e Amerikës së Jugut Correio të Bahia:
“Ajo luftoi kundër vrasësit dhe madje edhe kur u plagos arriti të largohej nga kisha duke kërkuar ndihmë dhe duke paralajmëruar të gjithë se çfarë kishte ndodhur derisa të vinte policia. Me mirësinë e saj ajo shmangu një tragjedi e cila mund të kishte qenë edhe më e madhe”.







